(VIDEO) Përmbytja e rrugëve, qytetarët kërkojnë që komuna dhe institucionet të marrin masa

(VIDEO) Përmbytja e rrugëve, qytetarët kërkojnë që komuna dhe institucionet të marrin masa

Shiu i rrëmbyeshëm gjatë këtyre ditëve është shndërruar në një problem të madh për qytetarët. Mjafton vetëm pak çaste që rrugët e qytetit të Shkupit të shndërrohen në lumenj. Qytetarët janë të tmerruar nga gjendja e rrugëve gjatë mbrëmjes së kaluar. Në deklaratat e tyre për TV-Shenja, ata thonë se me këtë problem duhet të merret komuna dhe se ata janë përgjegjës për gjithë këtë katastrofë të bllokimit të rrugëve që po ndodhë vazhdimisht. Ata madje bëjnë apel që t’i rregullojnë kanalizimet e rrugëve dhe të lagjeve.

Në ndërkohë, një qytetar thekson se kanë pasur shumë dëme dhe se madje qyteti i Shkupit ka edhe një erë të tmerrshme duke e krahasuar me atë të tualeteve. Shton duke thënë se institucionet duhet të marrin iniciativë pasiqë nuk jetohet në këtë mënyrë dhe se ky është një turp i madh për vendin tonë.

Qytetari  

“Po kemi pasur edhe atë relativisht shumë. Jo vetëm mbrëmë por edhe para 4, 5 ditësh të njejtën gjë e kishim, mirëpo nuk vjen asnjë komision për ta kontrollu a kemi dëme apo jo. Kanalizimi është katastrofë, qyteti i Shkupit e ka një erë katastrofale, unë nuk e di njerëzit si lëvizin si qarkullojnë. Lagjia kjo është Xhon Kenedi, kjo është Serova një lagje tjetër është Cvetan Dimov, kalova në mëngjes me veturë, i hapa dritaret kinse për ajërosje, besoni si me qenë në tualet është turp i madh për komunën tonë. Besoj që institucionet duhet të marrin iniciativë të bëhet pastrimi i qytetit sepse nuk jetohet kështu”.

Pothuajse të njëjtën gjë përsëriti dhe një qytetar tjetër duke thënë se kryetari i komunës dhe institucionet duhet të angazhohen për këtë.

Qytetari

“Po ai është problemi i komunës nuk është problemi jonë, komuna duhet ta rregullojë atë. Dmth kryetari i komunës duhet të angazhohet edhe institucionet”.

Një qytetar tjetër pohon se ka parë kalimtarë të cilët kanë ndaluar për të ofruar ndihmë dhe se sipas tij organet kompetente nuk kanë qenë aspak në gatishmëri.

Qytetari

“Njerëzit i kam parë nëpër rrugë, banorët ose me veturë njerëzit kanë ndaluar kanë ndihmuar të pastrohen kështu ka pasur probleme, ka pasur, nuk kanë qenë të përgatitur me sa e pashë unë”.

Një qytetar tjetër thekson se kjo situatë po përsëritet për gati 3 ditë me radhë dhe se gabimi qëndron tek komuna dhe tek pushteti qëndror, deri kur do të vazhdojë kjo, ai thotë se ngelet për tu parë.

Qytetari

“Mbrëmë, në të vërtetë jo vetëm mbrëmë por edhe para 3 ditëve që po bie ky shi në Shkup dhe në rrethin e Shkupit, Kumanovë, Tetovë ku janë, është krejtësisht komuna edhe pushteti qëndror e ka këtë gabim, por deri kur do të shkojë kështu do të shohim”.

Në ndërkohë nga Komuna e Çairit thonë se nuk kanë kompetenca për rrugët dhe kanalizimet, dhe se përgjegjësinë e plotë për atë e ka ndërmarrja e ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërsa për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve janë ata të higjienës. Megjithatë, zëdhënësi i komunës thekson se pavarësisht faktit se ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për vërshimet e mbrëmshme, ata si shenjë përkrahje për qytetarët e vendit tha se i kanë angazhuar punëtorët sezonal për të punuar dhe theksoi se ata madje kanë bërë punë pothuajse edhe më shumë se punëtorët e tjerë të cilët e kanë pasur përgjegjësinë e plotë.

Ndërkaq, nga Ndërmarrja Ujësjellësi dhe Kanalizimi nuk morëm asnjë përgjigje rreth kësaj çështjeje.

/SHENJA/

 

MARKETING