MPB: Zbardhet rasti me kërcënimet ndaj gjykatësit kushtetues, kallëzim penal ndaj Samka Ibraimoskit
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se zbardhi plotësisht rastin e denoncuar në Departamentin për krime kompjuterike me datë 24.06.2024 nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese D.K., i cili ka raportuar kërcënime për jetën dhe sigurinë e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të drejtuar nga S.I. përmes një rrjeti social.
Nga MPB thonë se menjëherë pas denoncimit, MPB ka marrë masat përkatëse dhe është zhvilluar bisedë zyrtare me S.I në SPB Tetovë.
“Sot (26.06.2024), Departamenti për krime kompjuterike ka bërë kallëzim penal kundër S.I. (69) për veprën e kryer “rrezikimi i sigurisë” neni 144 paragrafi 5 i paraparë dhe i dënueshëm me Kodin Penal”.
“I denoncuari S.I në profilin e tij në Facebook ka dërguar kërcënime dhe thirrje të rënda për dhunë ndaj një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Dje i dyshuari për kërcënim të sigurisë së gjyqtarëve, Samka Ibraimoski, në një paraqitje para mediave tha se nuk e ka kërcënuar askënd dhe se vetëm ka bërë një pyetje në rrjetet sociale.