(VIDEO) Pilotët e pensionuar do të angazhohen për shuarjen e zjarreve
Drejtori i i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, njofton se këtë verë pilotët e pensionuar do të angazhohen për shuarjen e zjarrit në pyje me “Er traektorët”. Për momentin, Maqedonia e Veriut ka vetëm një pilot për shuarjen e zjarreve me aeroplan në pyje, ngase dy prej tyre këtë pranverë janë pensionuar. Maksuti thekson se pilot të rinj nuk janë pranuar, përshkak se janë caktuar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe se nuk mund të ketë konkurs për pranimin e të rinjëve.
Ai sqaroi se punësimi i pilotëve të rinj nënkupton procedurë më të gjatë dhe trajnime, ndaj dhe problemi këtë vit do të zgjidhet me pilotët e pensionuar. Kjo, siç tha Maksuti, për shkak se Komisioni për Antikorrupsion nuk lejon që të nënshkruajnë kontrata.
BEKIM MAKSUTI, DREJTORI I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM
“Presim të kalojnë zgjedhjet dhe të angazhojmë punonjësit e pensionuar. Tani për tani nuk mund ta bëjmë të njëjtën për shkak të zgjedhjeve, edhe pse për situatën e njëjtë jemi drejtuar dy herë te Komisioni për Antikorrupsion, që të na lejojë të nënshkruajmë kontrata, por na kanë refuzuar”.
Drejtori Maksuti bëri të ditur se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka në dispozicion vetëm një aeroplan i cili mund të shfrytëzohet deri në muajin gusht, ndërkaq dy të tjerët ende nuk janë dërguar për servisim për shkak të zgjedhjeve në vend, por se janë në përfundim e sipër për tenderin e servisimit të aeroplanëve. Pas arritjes së kontratës, Maksuti tha se dy aeroplanët do të dërgohen për servisim dhe se para sezonit veror do të rikthehen.
Kujtojmë që kohë më parë, Maksuti sërish vuri në pah problemin se ky institucion kyç për kontrollimin e mijëra zjarreve në mjedise të hapura që ndodhin gjatë muajve të verës, ka vetëm një pilot. /SHENJA/