SHBA vlerëson luftën e Türkiyes kundër DEASH-it

SHBA vlerëson luftën e Türkiyes kundër DEASH-it

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, Patrick Ryder, tha se vendi i tij e vlerëson luftën e Türkiyes kundër DEASH-it, transmeton Anadolu.

Ryder në një konferencë për media iu përgjigj pyetjeve lidhur me operacionin e Agjencisë turke të Inteligjencës Kombëtare (MIT) ndaj të ashtuquajturit lider të DEASH-it, Abu Hussein al-Qurayshi, i cili u vra në një operacion në veri të Sirisë.

“Këto lajme nuk mund t’i konfirmojmë aktualisht. Mirëpritet nëse është i saktë. Në kuptimin e përgjithshëm, vlerësojmë ato që Türkiye bën kundër DEASH-it. Ashtu sikur e dini, forcat turke kanë luftuar edhe në të kaluarën me DEASH-in në rajonet kufitare në veri të Sirisë. Dhe sërish, çdo gjë që mund të bëjë komuniteti ndërkombëtar për të ndihmuar me humbjen e përhershme të DEASH-it, është shumë e dobishme”, tha Ryder.

Ndërsa pyetjes nëse ka apo jo ndonjë komunikim mes forcave të armatosura të dy vendeve, Ryder shmangu përgjigjen duke e drejtuar tek Komanda e Forcave Evropiane të SHBA-së.

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, më 30 prill njoftoi se Al-Qurayshi u neutralizua.

Pasi mori informacionin se terroristi me emrin e koduar Abu Hussein al-Qurayshi, “i ashtuquajturi kalifi i ri i DEASH-it” që është konstatuar se shpeshherë e ndryshon vendndodhjen, gjendet në Afrin/Jindires dhe se së shpejti do të ndryshonte vendndodhjen, MIT organizoi një operacion sekret më 29 prill 2023 në shtëpinë ku gjendej terroristi.

Kreu i DEASH-it, Abu Hussein al-Qurayshi, nuk i dha përgjigje thirrjes “dorëzohu” të bërë nga MIT dhe më pas ai shpërtheu jelekun vetëvrasës pasi kuptoi se do të kapet.

Al-Qurayshi iu bashkua organizatës terroriste DEASH në vitin 2013 dhe në një kohë të shkurtër ai u ngrit në detyra të nivelit të lartë brenda organizatës. Al-Qurayshi ishte shpallur i ashtuquajtur kalifi i ri organizatës terroriste më 30 nëntor 2022, pas vrasjes së liderit të mëparshëm të DEASH-it, Abu Hassan al-Qurayshi.

MARKETING