Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani
Nga partia Alternativa kanë njoftuar se kryetari i tyre, Afrim Gashi së bashku me deputetët e partisë, Safije Sadiki Shahini dhe Hysni Ismaili, kanë realizuar takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë takim me Presidenten Osmani, thuhet në komunikatë e tyre, është diskutuar për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, “me ç’rast është konstatuar se dy vendet tona kultivojnë relacione solide në frymë të së ardhmes së përbashkët euroatlantike”.
“Në këtë takim po ashtu është diskutuar edhe për zhvillimet e gjithmbarshme rajonale, me ç’rast kryetari Gashi, që është edhe kryetar i Grupit të Miqësisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ka theksuar se ne edhe si shtet, por edhe si shqiptarë në RMV, kemi dëshmuar se jemi mbështetës dhe aleatë të sinqertë të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani, nga ana e saj, e ka përgëzuar delegacionin e Alternativës për angazhimin e saj politik dhe ka shprehur inkurajimin e saj për vazhdimin e këtij kursi miqësor e vëllazëror”, qëndron në komunikatën e partisë Alternativa.