72 të vdekur gjatë krizës së migracionit në Ceuta
Numri i të vdekurve nga kriza e emigracionit në enklavën spanjolle të Ceutës është rritur në 72, ndërsa më shumë se 48.300 emigrantë janë kthyer në Marok, raportoi të dielën transmetuesi publik spanjoll RTVE, transmeton Anadolu.
Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë trupat e 72 personave që u mbytën teksa tentonin të notonin nga Maroku drejt Ceutës, një nga enklavat spanjolle në Afrikën e Veriut.
Autoritetet spanjolle të shtunën vendosën një barrierë detare me gjatësi 500 metra në zonën kufitare të Tarajalit për të parandaluar kalimet e tjera të parregullta.
Qyteti autonom ka nisur gradualisht t’i rikthehet normalitetit, megjithëse forcat e sigurisë vazhduan kërkimet në lagje për migrantët që ende ndodhen në qytet. Shumë prej atyre që janë kthyer në Marok e kanë bërë këtë në mënyrë vullnetare.
Autoritetet shoqëruan grupe migrantësh drejt pikës kufitare të Tarajalit, nga ku ata po kthehen në Marok.
Në enklavën tjetër spanjolle, Melilla, 224 kilometra në lindje të Ceutës, autoritetet ngadalësuan përkohësisht trafikun në pikën kufitare Beni-Enzar pasi zbuluan një tentativë për kalim të parregullt të kufirit përmes gardhit. Trafiku i automjeteve dhe këmbësorëve më pas rifilloi gradualisht pasi situata u përmirësua.
Instituti Kombëtar Spanjoll i Menaxhimit Shëndetësor tha se numri i emigrantëve që kanë marrë trajtim mjekësor në Ceuta është rritur në 1.149.
Një person me plagë të rënda po priste transferimin në Spanjën kontinentale.
Ministria e Brendshme e Spanjës vlerëson se më shumë se 50.000 emigrantë hynë në mënyrë të parregullt në Ceuta të enjten, ndërsa kthimet drejt Marokut vazhdojnë.
Kriza e emigracionit pritet të diskutohet nga ministrat e drejtësisë dhe punëve të brendshme të BE-së në një takim të martën.

