(VIDEO) Bullgaria refuzon ndërmjetësimin evropian në negociatat me BE-në
“Është e pazakontë që të ketë ndërmjetësues mes një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe një vendi kandidat për anëtarësim, për marrëveshje që nuk kanë karakter bilateral, por janë miratuar dhe pranuar edhe në nivel evropian”. Kështu deklaroi shefja e diplomacisë bullgare, Velislava Petrova-Çamova, duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetëve në seancën e djeshme të Parlamentit bullgar, lidhur me kërkesën e Shkupit që në dialogun mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për tejkalimin e çështjeve kontestuese të përfshihen edhe përfaqësues të institucioneve në Bruksel, transmeton BGNES.
Sipas saj, në dialogun me Maqedoninë e Veriut, qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë udhëhiqen nga konsensusi i vitit 2022 dhe vendimet e mëvonshme të Parlamentit bullgar, të cilat, siç tha ajo, e përcaktojnë qartë qëndrimin e Sofjes.
VELISLAVA PETROVA-ÇAMOVA, MINISTRE E JASHTME E BULLGARISË
“Shpresojmë se do ta gjejnë logjikën dhe qasjen politike që do t’u mundësojë ta bazojnë anëtarësimin e tyre në një tezë të ndryshme nga ajo antibullgare”.
Ajo i cilësoi si të pabaza pretendimet e pushtetit aktual në Shkup se Bullgaria mund të vendosë kërkesa shtesë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe të ndryshojë qëndrimin e saj tashmë të përcaktuar.
Bullgaria kërkon nga autoritetet e Maqedonisë ndryshime kushtetuese, me të cilat bullgarët do të përfshiheshin në Preambulën e Kushtetutës. Nga ana tjetër, Shkupi kërkon garanci se Bullgaria nuk do të vendosë kushte të tjera ndaj vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Një nga propozimet e Qeverisë është që, në rast të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ato të kenë efekt të shtyrë, përkatësisht të fillojnë të zbatohen vetëm pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
/SHENJA/

