Zyrtari rus: Putini i tha Trumpit se Kievi sabotoi mundësinë e rifillimit të negociatave me sulmet në zgjedhjet në Rusi
Presidenti rus, Vladimir Putin, sipas një zyrtari rus, i tha presidentit amerikan, Donald Trump, se Ukraina e kishte minuar mundësinë e rifillimit të menjëhershëm të negociatave trepalëshe, duke u përpjekur të pengonte zgjedhjet parlamentare në Rusi, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, këshilltari i presidentit rus, Yury Ushakov, tha se Trump e dëgjoi qëndrimin e Putinit dhe do të udhëzonte që mesazhi përkatës t’i përcillej delegacionit ukrainas, i cili ndodhet në Miami për takime me përfaqësues amerikanë.
“Duke u përpjekur të pengonte zgjedhjet tona, përmes një sulmi masiv me dronë ndaj Moskës, qyteteve të tjera, qendrave të votimit dhe individëve të caktuar të përfshirë në organizimin e votimit në ditën kryesore të zgjedhjeve, regjimi i Kievit, në thelb, e ka sabotuar mundësinë e rifillimit të menjëhershëm të procesit të negociatave”, tha Ushakov.
“Tani, siç tha presidenti, do të shqyrtojmë se kur mund të rifillojnë këto negociata”, shtoi ai.
Biseda telefonike Putin-Trump
Dje, Putin dhe Trump biseduan përmes telefonit. Trump e përshkroi bisedën si një “diskutim shumë të suksesshëm”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se bisedimet rezultuan në një marrëveshje që Rusia të “furnizojë menjëherë” tregjet amerikane dhe globale me më shumë se 300.000 tonë naftë dizel.
Ai tha se në nëntor do të furnizoheshin edhe 500.000 tonë të tjera, të ndjekura nga 1 milion ton dhe 3 milionë tonë shtesë “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse të naftës dizel.
Putini tha se furnizimi i tregjeve amerikane dhe globale me naftë dizel nga Rusia do të ishte në dobi të ekonomisë botërore.
Ai tha se të dy liderët diskutuan për sektorin global të energjisë, perspektivat për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, situatën në Iran dhe marrëdhëniet dypalëshe.

