Zyrtari libanez: Bisedimet Liban-Izrael në Romë përqendrohen te kufiri dhe marrëveshjet e sigurisë
Dita e parë e raundit të shtatë të negociatave mes Libanit dhe Izraelit në Romë u përqendrua te çështjet kufitare dhe mekanizmat për verifikimin e zbatimit të marrëveshjeve të sigurisë, tha për Anadolu një zyrtar i lartë libanez.
“Dita e parë e raundit të shtatë të negociatave me Izraelin përfundoi, me diskutimet e pasdites të ndara në dy takime, një ushtarak dhe një politik”, tha zyrtari.
Në takimin politik, të dyja palët diskutuan çështjen e kufirit, ku Libani paraqiti qëndrimin e tij. Diskutimet janë planifikuar të vazhdojnë të mërkurën, tha zyrtari.
Gjatë takimit ushtarak, pjesëmarrësit diskutuan mekanizmat për verifikimin e zbatimit të marrëveshjeve të sigurisë, përfshirë tërheqjen izraelite, armët e Hezbollahut, si dhe palën e tretë përgjegjëse për mbikëqyrjen e procesit.
“Libani ende nuk ka marrë përgjigje nga udhëheqja politike e Izraelit lidhur me angazhimin e tij për armëpushimin”, tha zyrtari.
Raundi aktual shënon herën e dytë që Roma pret negociatat, të cilat janë planifikuar të zgjasin tri ditë. Pesë raundet e mëparshme u zhvilluan në Washington në kuadër të një procesi negociatash të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

