Zulbeari: Punohet intensivisht për identifikimin e shkaktarit të rasteve me simptoma gastrointestinale në Gostivar
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Dr. Shaqir Zulbeari, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Dr. Sasho Klekovski, dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit, vizituan sot këtë institucion shëndetësor për të ndjekur nga afër gjendjen e pacientëve të paraqitur me simptoma gastrointestinale.
Gjatë vizitës, Dr. Zulbeari bëri të ditur se ekipet e Institutit të Shëndetit Publik janë angazhuar menjëherë në terren dhe kanë nisur hetimin epidemiologjik për të identifikuar sa më shpejt shkaktarin e situatës.
“Qendra e Shëndetit Publik është e angazhuar drejtpërdrejt në identifikimin e shkaktarit. Ekipet tona kanë filluar anketimet epidemiologjike dhe marrjen e mostrave, të cilat janë thelbësore për përcaktimin e burimit të problemit”, deklaroi Zulbeari.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që paraqiten në institucionet shëndetësore me simptoma gastrointestinale të bashkëpunojnë me ekipet epidemiologjike, duke plotësuar anketat përkatëse.
“Së bashku me marrjen e ndihmës mjekësore, është shumë e rëndësishme që pacientët të japin informacionet e nevojshme në anketën epidemiologjike. Çdo e dhënë është e vlefshme dhe ndihmon në identifikimin sa më të shpejtë të shkaktarit”, tha ai.

