Zgjedhjet në Kosovë, si do të votojnë 12 të akuzuarit nga Haga?
Ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe njëherë do të duhet të votojnë nga Haga, për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Në qendrën e paraburgimit në kuadër të Dhomave të Specializuara për Kosovën janë duke qëndruar 12 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Me këtë po pajtohen edhe monitoruesit e IKD-së e sipas KQZ-së kjo është përmbushur.
“Ashtu siç ndodh edhe në Kosovë që KQZ-ja organizohet që të shkojë në qendra të ndalimit në tërë territorin e Kosovës, që çdo i burgosur të ketë mundësinë që të votojë, ngjashëm duhet të ndodhë edhe në Hagë, ne e kemi ambasadën atje dhe KQZ-ja duhet ti përmbush obligimet e saj”, ka thënë hulumtuesja në IKD, Blendina Veliqi,
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për shtetasit e Kosovës të cilët ndodhën në Hagë. Procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzit, ndërkohë që Salih Mustafa e Pjetër Shala, tashmë janë dënuar për vepra të tilla.
Ndërkaq, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari e Haxhi Shala akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton RTV Dukagjini.