Zëvendëskryeministri Fetai takohet në Sarajevë me Bakir Izetbegoviq

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, zhvilloi sot një takim në Sarajevë me Kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik të Bosnjë dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç. Takimi përqendrohej në sfidat dhe perspektivat rajonale, me një fokus të veçantë tek zhvillimet politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një postim në Facebook, Fetai bëri të ditur se Izetbegoviç e informoi për shqetësimet lidhur me sulmet ndaj rendit kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës nga Milorad Dodik dhe autoritetet e Republikës Serbe, duke theksuar rreziqet që këto veprime mund të sjellin për stabilitetin e rajonit.
Fetai dhe Izetbegoviç diskutuan gjithashtu për rëndësinë e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ata theksuan nevojën për të vazhduar reformat evropiane dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës në rrugën e tyre të përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, siç u theksua, janë thelbësore për zhvillimin dhe përparimin ekonomik të rajonit.