Zeqiri: Si forcë e dytë në shtet do të na takonin shumë pozita kyçe, ja pse dëshirojnë të na marrin dy deputetë
Arben Zeqiri nga Fronti Evropian, në një status në rrjetin social facebok, akuzon koaliconin VLEN, se së bashku me partitë maqedonase, po tentojnë defaktorizimin e shqiptarëve dhe fuqinë politke të tyre, duke tentuar që Frontit t’ia marrin dy deputetë.
Ai shkruan se zgjedhjet e 8 majit, për herë të parë në historinë e shtetit kanë nxjerrë shqiptarët në një pozitë të rëndësishme, si udhëheqës së forcës së dytë politike në vend që në vete mbart edhe përgjegjësi të fuqishme shtetërore.
“Fronti Europian me rezultatin e fituar i bën shqiptarët barrikadë reale ndaj nacionalizmit maqedonas dhe fuqisë që fitoi nga ana tjetër VMRO-DPMNE. Nëse Fronti Europian bëhet pjesë e Qeverisë, për herë të parë do të ketë nën ombrellën e vetë edhe komunitetet e tjera joshumicë si turqit dhe boshnjakët duke i bërë njëkohësisht edhe ata faktorë në sjelljen e vendimeve, duke i dhënë kuptim real dhe fuqi parimit të Badenterit.Rivotimi që ka për qëllim marrjen e dy deputetëve të Frontit Europian në radhë të parë duket se tenton të ulë dallimin mes VLEN dhe FRONTIT EUROPIAN. Por, tendenca e partive maqedonase VMRO dhe LSDM, me ndihmën e VLEN është edhe më e madhe se kaq. Nëse koalicioni qeveritar do të bëhej mes VMRO dhe VLEN, atëherë Fronti Europian do të ishte forca e dytë politike në vend, gjegjësisht forca e parë opozitare në vend”, shkruan Zeqiri.
Sipas tij, me këtë pozicion, Frontit do t’i takonin një sërë pozicionesh kyçe në shtet.
“Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe dy anëtarët e KSHZ nga opozita do t’i takonin Frontit Europian, ndërsa vetëm një anëtar LSDM-së. Prokurori i shtetit zgjidhet me propozim të forcës së parë opozitare, gjeqësisht Frontit Opozitar. Me komisionet parlamentare kyçe që udhëheq forca e parë opozitare do të udhëhiqte Fronti Europian. Drejtori i Radio Televizionit të Maqedonisë do të zgjidhej me propozim të Frontit Europian. Postet kyçe në Agjencinë për Komunikime Elektronike, Agjencionin Rregullator për Energjetikë, Agjencinë për shërbime audio dhe audio-vizulese dhe shumë agjencione dhe trupa rregullatorë me peshë, do të zgjidheshin me propozim të forcës së parë opozitare, gjegjësisht Frontit Europian. Janë dhe një listë e gjatë pozicionesh që do të duhej ti drejtonin shqiptarët, por më e rëndësishmja që në takime të liderëve, Këshillin për Siguri Shtetërore dhe të ngjashme, rolin e bartësit të opozitës në vend do të duhej ta udhëheq njëri nga liderët shqiptar të Frontit Europian.
Për të parandaluar të gjithë këtë, VMRO, LSDM dhe me ndihmën e servilizmit të VLEN po orkestrojnë gjithë procesin në KSHZ që të ulet numri i votave dhe deputetëve të Frontit Europian dhe të rritet LSDM.
Për hajr ju qoftë, do të ju kujtojë gjatë kohë historia për këtë tentim. Se sa do ta realizoni, do të shohim!”, ka shkruar Zeqiri.