Kallas: BE-ja po shqyrton sanksione të reja ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor
Shefja e politikës së jashtme e BE-së, Kaja Kallas, tha të martën se blloku po diskuton sanksione shtesë ndaj kolonëve izraelitë, mes rritjes së zgjerimit të paligjshëm të ngulimeve, zhvendosjeve të detyruara dhe niveleve rekord të dhunës së kolonëve të paligjshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Duke folur në një seancë plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg lidhur me përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme, Kallas tha se zgjerimi i vendbanimeve kolone dhe pikave të reja të paligjshme në Bregun Perëndimor po vazhdon të rritet, krahas zhvendosjeve të detyruara dhe dhunës së kolonëve.
“Përveç tri paketave të sanksioneve ndaj kolonëve ekstremistë, në Këshillin Evropian po zhvillohen tani diskutime për sanskione të tjera të mundshme. Përgjegjësia është parakusht për frenimin e kolonëve të dhunshëm”, tha ajo.
Ajo tha se BE-ja, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, duhet të vazhdojë të kërkojë ndalimin e zgjerimit të vendbanimeve kolone, përfshirë projektin e planifikuar E1.
Projekti E1, i vendosur në Kudsin Lindor, “kërcënon seriozisht zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete”, tha Kallas.
Duke iu referuar Rripit të Gazës, Kallas tha se situata humanitare po përkeqësohet pavarësisht armëpushimit, duke e cilësuar atë si një “armëpushim vetëm në emër”.
“Njerëzit ende po vriten dhe plagosen”, tha ajo, duke paralajmëruar se zonat e mbipopulluara të zhvendosjes përballen me rrezikun e përmbytjeve dhe sëmundjeve me afrimin e dimrit.
Kallas iu referua gjithashtu zgjedhjeve të ardhshme në Izrael dhe zgjedhjeve legjislative palestineze si “pikë kthese të rëndësishme”, duke thënë se BE-ja është e gatshme të ndihmojë, veçanërisht në zgjedhjet palestineze.

