Zelenskyy nuk konfirmon dhe as nuk mohon përdorimin e rake’tave amerikane me rreze të gjatë veprimi kundër Rus’isë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nuk ka konfirmuar dhe as nuk ka mohuar se Kievi përdori raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi mes pretendimeve të Moskës se rrëzoi raketat balistike ATACMS mbi një nga rajonet e saj kufitare, transmeton Anadolu.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se ka rrëzuar gjashtë nga raketat mbi rajonin Bryansk. Nëse është e vërtetë, kjo përfaqëson sulmin e parë nga Kievi duke përdorur raketat amerikane ATACMS me rreze të gjatë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Pretendimi rus vjen disa ditë pasi ‘The Washington Post’ raportoi se presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden, autorizoi Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja për “sulme të kufizuara” brenda territorit rus.
Brian Nichols, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet e hemisferës perëndimore, më herët konfirmoi autorizimin për gazetën braziliane ‘O Globo’.
Në përgjigje të një pyetjeje gjatë një konference të përbashkët për media në Kiev me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, presidenti Zelenskyy tha se “pa hyrë në detaje, Ukraina ka aftësi me rreze të gjatë, duke përfshirë dronët e prodhuar në vend Neptun dhe tani ATACMS. Ne do t’i përdorim të gjitha këto”.
Zelenskyy gjithashtu tha se pasi dëgjoi komentet për armët bërthamore që u shprehën kohët e fundit, është koha që Gjermania të mbështesë aftësitë goditëse me rreze të gjatë të Ukrainës.
Frederiksen, nga ana e saj, tha se Danimarka e ka siguruar Ukrainën për mbështetjen gjatë presidencës së saj në Bashkimin Evropian (BE) në gjysmën e dytë të vitit 2025.
Ajo tha se mbështetja e vendit të saj për Ukrainën do të vazhdojë, duke iu referuar transferimit të artilerisë dhe avionëve luftarakë F-16 nga Danimarka në Kiev.