Zelenskyy: 17 të vrarë dhe 44 të plagosur në sulmet gjatë natës në Kiev
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi sot se 17 persona u vranë dhe 44 të tjerë u plagosën në sulmet gjatë natës në Kiev dhe rajonin përreth, transmeton Anadolu.
Sulmi përfshin 24 raketa balistike, katër raketa Tsirkon dhe Oniks dhe 115 dronë, shumë prej të cilëve me motor reaktiv, tha Zelenskyy në një deklaratë në Telegram.
Depot, infrastruktura dhe një stacion hekurudhor ishin midis objektivave, shtoi ai. Zelenskyy bëri thirrje për rritjen e furnizimeve me interceptorë të raketave balistike në Ukrainë, duke i kërkuar Grupit G-7dhe BE-së të vendosin sanksione shtesë ndaj prodhuesve rusë të raketave balistike.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore interceptoi dhe shkatërroi 475 dronë ukrainas mbi rajonet ruse dhe detet e Zi dhe Azov gjatë natës. Në rajonin e Rostovit, më shumë se 40 dronë u shkatërruan mbi distriktet Tarasovsky, Kamensky, Millerovsky dhe Neklinovsky, tha guvernatori Yury Slyusar.
Mbeturinat që ranë shkaktuan zjarr në në rrethin Neklinovsky, i cili më pas u shua, tha Slyusar. Në rajonin Tula, një zjarr shpërtheu në një qendër sporti të “Wildberries” pas rënies së një droni, tha guvernatori Dmitry Milyaev.
Dy pallate apartamentesh dhe dy objekte industriale u dëmtuan gjithashtu. Ndërsa një person thuhet se u plagos. Në Tatarstan, mbeturinat e dronit që ranë shkaktuan zjarr të vogël në një objekt civil në distriktin Zelenodolsk, tha kreu i distriktit, Mikhail Afanasyev.
Zjarri u shua shpejt dhe nuk u raportuan të lënduar. Pretendimet nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

