Zejd Rexhepi: Qeveria ndryshoi qasje ndaj komunitetit turk vetëm pas takimit me Erdoğan

Zejd Rexhepi: Qeveria ndryshoi qasje ndaj komunitetit turk vetëm pas takimit me Erdoğan

Kryetari i Lëvizjes Populli dhe deputeti Skender Rexhepi – Zejdi ka kritikuar Qeverinë për, siç tha, mungesën e përfaqësimit të komunitetit turk në ekzekutiv gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, raporton SHENJA.

Sipas Rexhepit, për herë të parë në 36 vitet e fundit, në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nuk ka pasur asnjë përfaqësues të komunitetit turk, qoftë në nivel ministri, zëvendësministri apo drejtori institucionesh.

Ai tha se ndryshimi i qasjes ndodhi vetëm pas takimit të kryeministrit Hristijan Mickoski me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, kur komunitetit turk iu ofrua një post ministri pa resor.

“Hiç më pak se dy vite e gjysmë nuk kishim fare asnjë përfaqësues turk në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, gjë që nuk ka ndodhur në 36 vitet e kaluara. As ministër, as zëvendësministër, as drejtor institucioni. Për habi, menjëherë pas takimit me kryeministrin e Turqisë, ndryshon qasja dhe atyre u ofrohet një ministri pa resor. Ndoshta kjo lidhet me kredinë që pritet të merret nga Turqia dhe tentohet të kamuflohet përfaqësimi me një shkelje të tillë të të drejtave etnike të turqve”, deklaroi Rexhepi.

Ai theksoi se të gjitha komunitetet etnike në vend duhet të kenë përfaqësim të barabartë në institucionet shtetërore.

“Turqit, boshnjakët, romët dhe të gjitha etnitetet e tjera, së bashku me maqedonasit, duhet të gëzojnë përfaqësim të barabartë në çdo institucion qeveritar, shtetëror dhe vendimmarrës. Vetëm në këtë mënyrë mund të konsiderojmë se shteti dhe pushteti nuk janë pronë e dikujt, ndërsa të tjerët trajtohen si qiraxhinj”, u shpreh Rexhepi. /SHENJA/

MARKETING