Rexhepi – Zejd: Mbyllja e shkollave nuk është reformë, por fatura e keqqeverisjes
Kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi Zejd, ka reaguar pas njoftimit të ministres së Arsimit se këtë vit do të mbyllen 26 shkolla rurale, ndërsa në arsimin fillor do të ketë 200 paralele më pak dhe në arsimin e mesëm 100 më pak.
“Për Qeverinë këto janë vetëm numra dhe ‘optimizim’. Për shoqërinë janë alarmi se shteti po mbetet pa fëmijë, pa të rinj dhe, dalëngadalë, pa të ardhme”, shkruan Zejdi.
Sipas tij, mbyllja e shkollave është pasojë e rënies së natalitetit dhe largimit të të rinjve, të cilët nuk shohin perspektivë për të ardhmen në vend.
Zejd kritikon Qeverinë për mungesën e mbështetjes ndaj martesave dhe familjeve të reja, krijimit të vendeve të punës me paga dinjitoze, stabilitetit ekonomik dhe banimit të përballueshëm.
Ai thekson gjithashtu se diskriminimi etnik, punësimet partiake, korrupsioni dhe mungesa e drejtësisë po i shtyjnë të rinjtë drejt largimit nga vendi.
“Mbyllja e shkollave nuk është reformë. Është fatura e keqqeverisjes dhe mungesës së perspektivës zhvillimore, të cilën shteti po e paguan me zbrazjen e vendbanimeve dhe humbjen e brezave të rinj”, shprehet ai.
Në fund, ai akuzon Qeverinë se, ndonëse premtoi ndërtimin e së ardhmes, me politikat e saj po kontribuon në zbrazjen e vendit.
“Kjo Qeveri premtoi ta ndërtojë të ardhmen, por po e shkatërron duke u vënë drynin shkollave!”, përfundon Zejdi.

