Xhaka: Titulli është në duart tona, nëse fitojmë ndeshjet e mbetura shpallemi kampion

Xhaka: Titulli është në duart tona, nëse fitojmë ndeshjet e mbetura shpallemi kampion

Pa zemërim, pa akuza dhe pa ndier keqardhje për veten, Granit Xhaka dhe bashkëlojtarët e tij te skuadra e Arsenalit janë më se të bindur se ende e kanë në duar fatin për titullin e kampionit të Premier Leagues. I palëkundur dhe i patrembur, mesfushori Xhaka ka insistuar se Arsenali është gati të vazhdojë tutje dhe ta mbajë pozitën e parë në tabelë deri në fund të edicionit, shkruan “Daily Mirror” të hënën.

Xhaka ka paralajmëruar se Manchester City do ta shikojë reagimin e Arsenalit këtë javë. Arsenali të premten mbrëma e pret Southamptonin, ndeshje kjo që vjen pas dy barazimeve, 2:2, me Liverpoolin dhe West Ham Unitedin. Në dy ndeshjet ekipi i Mikel Artetas ishte në avantazh prej dy golave. Këto barazime kanë bërë që City t’i afrohet liderit në katër pikë, por skuadra e Pep Guardiolas ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Sipas Xhakës, fitoret në ndeshjet e mbetura, duke filluar nga Southamptoni dhe pastaj javën tjetër ndaj Manchester Cityt, do të bëjnë që Arsenali ta fitojë titullin e kampionit për herë të parë pas 19 vjetësh.

“Ne e kemi pranuar këtë sfidë deri më tani dhe askush nuk ka besuar se do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë para fillimit të këtij sezoni. Kështu që do ta vazhdojmë këtë sfidë deri në fund të edicionit. E kemi pasur parasysh se duelet me Liverpoolin dhe West Hamin do të ishin të vështira, por do të reagojmë të premten. Me gjithë dy barazimet që i patëm, personalisht nuk jam aspak i shqetësuar”, është shprehur Xhaka. “Asgjë nuk ka ndryshuar tek Arsenali. E dimë që pas ndeshjes në shtëpi me Southamptonin do të luajmë në udhëtim te City dhe synimi është t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Pra, jemi gati ta dërgojmë sfidën deri në fund”.

Xhaka ka thënë se i vjen keq që Arsenali i lëshoi pikët e plota ndaj West Ham Unitedit, pothuajse në mënyrë të njëjtë sikurse kundër Liverpoolit. Në të dyja ndeshjet Arsenali ishte në epërsi prej dy golave për të barazuar në fund. Arsenali ka 74 pikë pas 31 ndeshjeve të zhvilluara dhe deri në fund të sezonit i ka edhe shtatë ndeshje.

“Nuk jam i nervozuar, por jam i zhgënjyer për shkak se kishim rastin t’i merrnim pikët e plota si ndaj Liverpoolit ashtu edhe ndaj West Hamit, pasi ishim në epërsi 2:0. Por, ky është futbolli dhe nganjëherë nuk mund t’i fitosh ndeshjet nëse nuk luan mirë për 90 minuta. Ne nuk luajtëm mirë, por ende gjithçka kemi në duart tona. Nëse i fitojmë ndeshjet e mbetura, atëherë dihet se çka do të ndodhë, do të shpallemi kampionë”, ka insistuar Xhaka.

Mesfushori nuk u pajtua me kritikat e trajnerit Mikel Arteta. Arteta pas ndeshjes vuri në dyshim mentalitetin e ekipit, si dhe “instinktin vrasës”. Xhaka ka mendim tjetër.

“Nuk ka të bëjë me mentalitetin, pa dyshim që nuk është mentaliteti në pyetje. Nëse diçka nuk shkon mirë, atëherë është lehtë ta drejtosh gishtin te dikush tjetër. Tash është koha të qëndrojmë më të bashkuar se kurrë, sepse i kemi edhe shtatë ndeshje”, tha Xhaka, i cili nuk shqetësohet shumë për Cityn. “Ne nuk po e shikojmë Cityn. Jemi të fokusuar t’i fitojmë ndeshjet që kanë mbetur dhe të mos lëshojmë asnjë pikë deri në fund”.

30-vjeçari Xhaka ka insistuar se nëse ndaj Southamptonit do të ketë penallti në favor të Arsenalit, sërish nga pika e bardhë do të gjuajë Bukayo Saka. Saka e humbi penalltinë ndaj West Hamit.

“Nëse të premten do ta kemi një penallti, do ta shtyjë Sakan që ta marrë sërish përgjegjësinë. Është djalosh i ri dhe ka mentalitet të duhur, andaj do ta përkrahim më shumë se kurrë”.

MARKETING