VMRO: Keqmenaxhim në Komunën e Gostivarit, mbi 1.000 qytetarë me simptoma helmimi nga ndotja e ujit të pijshëm

VMRO: Keqmenaxhim në Komunën e Gostivarit, mbi 1.000 qytetarë me simptoma helmimi nga ndotja e ujit të pijshëm

VMRO-DPMNE e akuzoi pushtetin lokal në Gostivar, të udhëhequr nga koalicioni i LSDM-së, BDI-së dhe Arben Taravarit, se me punë të papërgjegjshme dhe joprofesionale e ka çuar qytetin drejt kolapsit dhe ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Nga partia theksojnë se gjatë ditëve të fundit më shumë se 1.000 banorë të Gostivarit, mes tyre edhe fëmijë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma të helmimit. Si një nga shkaqet e mundshme përmendet ndotja e ujit të pijshëm.

“Sipas informacioneve, ekziston dyshim i bazuar se shëndeti i qytetarëve është rrezikuar drejtpërdrejt, pasi autoritetet komunale kanë vendosur pompa në ujëra të zeza për ta rritur presionin në rrjetin e ujësjellësit”, kumtoi VMRO-DPMNE.

Nga partia vlerësojnë se ky rast dëshmon mungesën e kapaciteteve të pushtetit lokal për ta menaxhuar komunën dhe për të siguruar kushte themelore për jetesë.

“Kjo mënyrë e drejtimit të pushtetit lokal, e cila i la qytetarët pa të drejtën elementare për ujë të pastër dhe të sigurt për pije, është dëshmi se LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari nuk kanë kapacitet për ta udhëhequr komunën”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Partia shprehu shqetësim për shëndetin e qytetarëve dhe kërkoi që institucionet kompetente ta zbardhin plotësisht rastin.

“Kërkojmë dhe presim zbardhje të plotë të rastit. U bëjmë thirrje institucioneve që secili që me veprimet e tij ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve të mbajë përgjegjësi në përputhje me ligjin”, kumtoi VMRO-DPMNE.

Analizat përfundimtare laboratorike duhet të përcaktojnë nëse uji i pijshëm është shkaku i problemeve shëndetësore te qytetarët. Deri atëherë, pretendimet për përgjegjësinë dhe mënyrën e ndërhyrjes në sistemin e ujësjellësit mbeten objekt verifikimi nga institucionet kompetente.

MARKETING