VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së, e aq më pak ka të drejtë ta rrënojë
VLEN ka akuzuar BDI-në se po pengon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbajtur peng një nga parimet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit për interesa partiake.
Në një reagim publik, VLEN thekson se BDI, e cila për më shumë se dy dekada ishte pjesë e pushtetit, kishte mundësinë të miratonte një ligj që do ta garantonte me baza ligjore përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, por sipas tyre nuk e bëri këtë me qëllim.
Sipas VLEN-it, mungesa e një zgjidhjeje ligjore ka krijuar hapësirë që punësimet në administratë të varen nga interesat partiake, ndërsa tani që ligji është propozuar, BDI po e bllokon atë duke përdorur mekanizmin e Badenterit.
Koalicioni vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie politike dhe se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është një e drejtë e qytetarëve dhe obligim i shtetit, e jo një privilegj që mund të kushtëzohet nga interesat politike.
Në fund të reagimit, VLEN i bën thirrje që Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të miratohet pa, siç thotë, “shantazhe dhe bllokada”, duke theksuar se procesi nuk duhet të pengohet për arsye partiake.

