VLEN: Kaseta e prishur e BDI-së nuk e fshin vendimin e Grubit për kazinotë
VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të BDI-së, duke i akuzuar bashkëqeveritarët e mëparshëm për, siç thonë, “trillime dhe gënjeshtra” dhe duke kërkuar që vëmendja të përqendrohet te përgjegjësitë e ish-funksionarëve të BDI-së.
Në reagimin e VLEN-it thuhet se BDI-ja “çdo ditë nxjerr nga një trillim e nga një gënjeshtër”, ndërsa pretendimet e saj për numrin e seancave të Qeverisë i cilëson si një “autogol”.
“Përfaqësuesit e VLEN-it kanë kryesuar seanca të Qeverisë”, thuhet në reagim, ku më pas përmendet ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.
Sipas VLEN-it, Grubi ka kryesuar edhe seancën në të cilën, sipas tyre, është marrë vendim lidhur me hapjen e kazinove. Koalicioni e lidh gjithashtu periudhën e Grubit në qeveri me çështjen e shtetësisë së Aleksandar Onishçenkos dhe me pretendimet për përfshirjen e biznesmenit Daka Davidoviq në zhvillimet politike në Tetovë.
VLEN i referohet këtyre rasteve si “arritje” që, sipas tyre, Grubi i ka realizuar në emër të BDI-së.
Në fund të reagimit, VLEN i drejton BDI-së një pyetje lidhur me hetimin ndaj Artan Grubit, duke kërkuar që partia të kërkojë nga Prokuroria informacion për ecurinë e rastit për të cilin Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane.
“A do t’i kërkoni Prokurorisë të tregojë deri ku ka mbërritur çështja për të cilën Artan Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane?”, pyet VLEN.

