VLEN: Karrigexhinjtë e përhershëm të BDI-së s’po dinë të jetojnë në opozitë
Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar BDI-në se po rikthen “filmin e vjetër” në përpjekje për të rimarrë mbështetjen e qytetarëve.
Sipas reagimit, BDI e ka përqendruar sulmin ndaj Izet Mexhiti, për shkak të rolit të tij në ndryshimet politike që e çuan këtë parti në opozitë. Nga VLEN theksojnë se Mexhiti nuk është produkt i strukturave të brendshme partiake, por një përfaqësues me mandat të drejtpërdrejtë nga qytetarët, si në nivel lokal ashtu edhe në atë parlamentar.
Në deklaratë bëhet dallim i qartë mes tij dhe figurave të tjera të BDI-së, si Bujar Osmani, Blerim Bexheti dhe Fatmir Besimi, të cilët akuzohen se politikën e kanë reduktuar në funksione dhe përfitime personale.
VLEN gjithashtu pretendon se në BDI vendimmarrja është përqendruar në një rreth të ngushtë rreth Ali Ahmeti, duke e cilësuar këtë si “privatizim të partisë”. Sipas tyre, aktivistët përdoren për interesa të ngushta politike, ndërsa drejtuesit synojnë rikthimin në pushtet për përfitime personale.
Në reagim përmenden edhe periudhat e gjata në poste publike të disa eksponentëve të BDI-së, duke vënë në pikëpyetje narrativën e tyre për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve.
Koalicioni VLEN shton se qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm për këto, duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve lokale, ku pretendojnë se kanë fituar mbështetje të konsiderueshme.
Në fund, nga VLEN dërgohet mesazhi politik: “VLEN është një dhe është në ardhje”, duke paralajmëruar ambicie për rritje të mëtejshme në skenën politike.

