VLEN: Dyfytyrësia e Bujarit: Natën të vret, ditën të qan!
VLEN ka reaguar ndaj qëndrimit të Bujar Osmanit për vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për shpalljen “non-grata” të imamit Bekir Halimi dhe aktivistit Valon Bela.
Në reagimin e VLEN-it thuhet se Osmani po përpiqet të krijojë përshtypjen se ka dalë në mbrojtje të Halimit dhe Belës, duke kërkuar që vendimi i Tiranës të rishikohet. VLEN e cilëson këtë qëndrim si “hipokrizi” dhe e akuzon Osmanin dhe BDI-në për ndikim në vendimmarrjen e Qeverisë së Shqipërisë.
“Bujari dhe BDI-ja janë ata që ndikojnë drejtpërdrejt te Qeveria e Tiranës për t’i shpallur armiqtë në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, as Halimi dhe as Bela nuk janë përfshirë në listën e personave të padëshiruar pa ndikimin e Osmanit dhe BDI-së. Koalicioni pretendon gjithashtu se eksponentë të BDI-së kanë qenë ndër të parët që kanë mbështetur idenë e përfshirjes së shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në një “listë të zezë” nga Shqipëria.
VLEN e lidh reagimin e tij edhe me rastin “Monstra”, duke akuzuar Osmanin për qëndrime të ndryshme publike lidhur me rastin dhe duke pretenduar se në periudha të ndryshme ai ka mbajtur pozicione kontradiktore.
Në fund të reagimit, VLEN thotë se qëndrimi i fundit i Osmanit është i lidhur edhe me zhvillimet politike pas zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si pasojë të “pamundësisë për ta pranuar fundin e tij politik” pas rezultatit në Çair.
“Me politikanë si Bujari, që sot thotë një gjë e nesër vepron të kundërtën, BDI-ja nuk ka të ardhme dhe do të mbetet gjatë në opozitë”, përfundon reagimi i VLEN-it.

