VLEN: Brukseli i vlerësoi pozitivisht reformat, vendi ka marrë 140 milionë euro nga Plani i Rritjes
VLEN ka përshëndetur vlerësimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për përparimin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Planit të Rritjes.
Sipas VLEN-it, gjatë vizitës së saj në Shkup, von der Leyen e cilësoi progresin si mbresëlënës dhe paralajmëroi pagesa të tjera në javët në vijim. Deri tani, vendi ka përfituar 140 milionë euro në kuadër të këtij mekanizmi.
Nga VLEN theksojnë se këto mjete janë rezultat i përmbushjes së detyrimeve dhe punës së institucioneve. Koordinimin e zbatimit të Agjendës së Reformave e bën Ministria për Çështje Evropiane, e drejtuar nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
VLEN shprehet se pret që të vazhdojnë përpjekjet për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit dhe tejkalimin e pengesave për avancimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

