VLEN: A po e blen Artan Grubi lirinë me sekretet e BDI-së?

VLEN: A po e blen Artan Grubi lirinë me sekretet e BDI-së?

VLEN kërkon nga Prokuroria Publike të japë sqarime për ecurinë e rastit “Lotaria”, në të cilin i dyshuari Artan Grubi ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak.

MARKETING

Description of image

Nga VLEN thonë se po bëhen rreth gjashtë muaj nga caktimi i masës së arrestit shtëpiak, ndërsa, sipas tyre, ende nuk është ngritur aktakuzë. Partia opozitare thekson se më 22 gusht skadon afati maksimal i kësaj mase dhe kërkon të dijë se në cilën fazë ndodhen procedurat.

“Prokuroria vazhdon me hapa breshke”, thuhet në reagimin e VLEN-it, nga ku gjithashtu ngrihen dyshime dhe pyetje për arsyet e zvarritjes së procedurës.

VLEN kërkon sqarime edhe për çështjen për të cilën Grubi është futur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në reagim, partia rikujton se autoritetet amerikane e kanë sanksionuar Grubin nën akuzat për korrupsion të nivelit të lartë.

“Artan Grubi nuk është dosido ish-funksionar. Ai është kutia e zezë e BDI-së”, thuhet më tej në reagimin e VLEN-it, ku përmendet edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

VLEN i bën thirrje Prokurorisë që të dalë publikisht me informacione për ecurinë e rastit “Lotaria”, duke kërkuar të sqarohet se ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë lidhur me konstatimet e autoriteteve amerikane.

Partia kërkon që institucionet e drejtësisë të japin përgjigje konkrete dhe të shmangin, siç thonë ata, zvarritjen e mëtejshme të çështjes.

MARKETING