(VIDEO) Zyberi: Korrupsioni e nepotizmi po e zbehin qytetar te institucionet e drejtësisë
“Korrupsioni, nepotizmi dhe perceptimi për njëanshmëri kanë bërë që qytetarët të hezitojnë të kërkojnë drejtësi në institucione”, kështu thotë eksperti juridik dhe ish-Avokati i Popullit, Naser Zyberi në emisionin “IMPAKT” në TV Shenja, nga ku po ashtu dhe foli për rënien e besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Naser Zyberi, ekspert juridik dhe ish-Avokat i Popullit
“Besimi i qytetarëve ka rënë kur janë në pyetje organet e jurisprudencës dhe ndoshta prej këtu buron hezitimi që qytetarët shpeshherë të kërkojnë drejtësi te institucionet, sepse është krijuar bindja se këto institucione nuk ndajnë drejtësi. Përkundrazi, janë të njëanshme, ka elemente të theksuara të nepotizmit, ka elemente shumë të theksuara të korrupsionit dhe ajo që është detyrë themelore e sistemit të drejtësisë, pra ndarja dhe dhënia e të drejtës, mungon. Kjo sigurisht që i deprimоn qytetarët për të ndërmarrë veprime për të kërkuar të drejtën në dyert e gjyqësorit”.
Nga ana tjetër, ai ka kritikuar heshtjen e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut lidhur me rastin e dhunës së dyshuar policore ndaj qytetarëve. Zyberi theksoi se Komiteti i Helsinkit dhe institucioni i Avokatit të Popullit janë ndër adresat që duhet të trajtojnë raste të tilla, duke nënvizuar se Avokati i Popullit mund të hapë lëndë edhe me iniciativë zyrtare, pa pasur nevojë për një ankesë nga qytetarët.
Naser Zyberi, eksperti juridik dhe ish-Avokati i Popullit
“Për mua është pak e pakuptimtë heshtja e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nuk është patjetër që të denoncohet, respektivisht nuk është patjetër që qytetari t’i drejtohet institucionit me parashtresë për të formuar lëndë. Pra, institucioni i Avokatit të Popullit edhe nga vet informacionet që merr në media mundet dhe në këtë rast duhet që të hap lëndë sepse, një nga sferat e observimit të këtij institucioni është pikërisht mbrojtja nga dhuna e institucioneve që në këtë rast është MPB respektivisht pjesëtarë të uniformuar të MPB-së”.
Tutje ai ka deklaruar se rastet e dhunës policore në Maqedoninë e Veriut nuk janë të izoluara. Sipas tij, në raste të tilla institucionet shpesh kanë minimizuar shkeljet, ndërsa pjesëtarët e policisë kanë kaluar pa sanksione serioze.
Anida Murati /SHENJA/

