(VIDEO) Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kryeson VV me mbi 40%, pasuar nga PDK me mbi 20%

(VIDEO) Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kryeson VV me mbi 40%, pasuar nga PDK me mbi 20%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielen. Sipas 91.47 të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40.96, partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.42 për qind pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.62 për qind. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma kanë fituar 7.56 për qind. Dalja e votuesve ka qenë mbi 40.59 për qind, ndërkohë paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë. Kryeministri i Kosovës, njëherësh kandidat edhe për një mandat në këtë pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha mbrëmë pas daljes së rezultateve të para se, partia e tij ka fituar dhe tha se mandatin Kurti 3 do të vazhdojë të qeverisë me partitë “Guxo” dhe “Alternativa”.

Albin Kurti, Vetëvendosje

Pra jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë, demokratike e progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re pra Kurti 3 dhe në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë edhe ato punët që i kemi nisur por edhe shumë të tjera të reja”.

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, është shprehur i lumtur me rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se Partia Demokratike e Kosovës “ka arritur një rezultat të madh”.

Blerand Stavileci, PDK

Partia Demokratike e Kosovës është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend, me mbi 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë i PDK-së në shumë vite dhe një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën”.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, e cila doli partia e tretë në zgjedhje, tha se, partia e tij priste rezultat më të mirë dhe tha se merr përgjegjësinë për dështimin.

Lumir Abdixhiku, LDK

LDK-ja pret t’i fitojë rreth 190 mijë vota nga ky proces zgjedhor. Duhet të jetë diku rreth 20 për qind. Është një rezultat që e respektojmë dhe përgjegjësinë për këtë rezultat e marr unë”.

Në zgjedhje garuan 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, ndërsa u vëzhguan nga mijëra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve mbi 100 të dërguar nga Bashkimi Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING