Sulmi rus dëmtoi mbulesën e Çernobilit, Gjermania angazhohet për riparimin e reaktorit bërthamor
Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, gjatë vizitës së tij në Kiev, u zotua se Gjermania do të ndihmojë Ukrainën për riparimin e dëmeve në strukturën mbrojtëse që mbulon reaktorin nr. 4 të centralit bërthamor të Çernobilit.
Schneider deklaroi se Gjermania qëndron në krah të Ukrainës, ndërsa gjatë vizitës së tij pritet të shkojë edhe në zonën e përjashtimit rreth centralit bërthamor, ku në vitin 1986 ndodhi një prej katastrofave më të rënda bërthamore në histori.
Struktura e madhe prej çeliku, e ndërtuar për të izoluar reaktorin e dëmtuar, u godit nga një dron gjatë luftës ruso-ukrainase. Sulmi me dron rus në vitin 2025 shkaktoi dëme në mbulesën e reaktorit nr. 4.
“Mbulesa mbrojtëse e dëmtuar mbi reaktorin duhet të riparohet”, tha Schneider.
Sipas ekspertëve, funksioni mbrojtës i strukturës së çelikut nuk është më i garantuar plotësisht. Kostoja e riparimeve vlerësohet në rreth 580 milionë dollarë.
Ministri gjerman theksoi se riparimet do të jenë jashtëzakonisht komplekse dhe do të kërkojnë një përpjekje të përbashkët ndërkombëtare. “Një proces ka filluar tashmë, në të cilin janë të përfshira vendet e G7”, tha ai.
Schneider shtoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në vizitën në Kiev, ministri u shoqërua nga një delegacion biznesmenësh të interesuar për të investuar në Ukrainë.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë kohë”, u shpreh ai, duke theksuar se korriku ishte një nga muajt më të vështirë për popullsinë civile ukrainase që nga fillimi i luftës me Rusinë, me numrin më të lartë të viktimave civile që nga maji i vitit 2022.

