(VIDEO) VMRO: Prokuroria të hetojë mungesën e ilaçeve në onkologji, LSDM kritikon Qeverinë
Partia në pushtet VMRO-DPMNE i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të hapë hetime për mungesën e terapisë biologjike në Klinikën e Onkologjisë, me pretendimin se rasti është pasojë e keqpërdorimeve nga tregtarët me shumicë të ilaçeve, të cilët po krijojnë krizë artificiale. Deputeti I VMRO-së, Mile Lefkov tha se Veledrogeria Dr. Panovski, ka marrë tender prej 35 milionë eurove vetëm nga Klinika e Onkologjisë.
MILE LEFKOV, DEPUTET I VMRO-SË
“Mafia e vdekjes, e drejtuar nga e njëjta veledrogeri dhe e ndihmuar dhe mbrojtur nga strukturat politike pranë SDS-së dhe BDI-së, për të cilët jeta njerëzore nuk vlen asgjë, ka 30 vjet që punon në Onkologji dhe është përgjegjëse për vdekjen e një numri të madh të pacientëve të cilët nuk janë trajtuar me kohë”.
Deputeti I VMRO-së pyet nëse është e vërtetë që barnatorja e afërt me LSDM-në, po shantazhon sistemin shëndetësor dhe kërkon që prokuroria ta hetojë rastin.
MILE LEFKOV, DEPUTET I VMRO-SË
“I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike, të inkurajohet dhe të vërë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për të kryer një hetim gjithëpërfshirës për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të oligarkëve. Këta janë tregëtarë të jetëve dhe shpirtrave njerëzorë dhe duhet të ndëshkohen rëndë. Nuk duhet të lejojmë që kjo mafi e vdekjes të përfitojë në kurriz të popullit dhe pacientëve me kancer”.
Në ndërkohë Veledrogeria Panovski paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime juridike për shpifje ndaj VMRO-DPMNE-së. Nga veledrogeria porositën qeverinë dhe VMRO-në se para se ti akuzojnë le të informohen se sa para I kanë borxh atyre për ilaçet e porositura.
Ndërsa nga LSDM thonë se nuk është normale që qeveria të blejë aeroplan ndërsa të presë donacione për ilaçet e Onkologjisë. Ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore që urgjentisht të marrin masa për të ofruar terapinë e nevojshme për të gjithë pacientët.
Pacientët e onkologjisë kanë alarmuar se nga e premtja e kaluar Klinikës i kanë munguar gjashtë barna të terapisë biologjike dhe frikësohen se së shpejti mund të mbarojnë edhe tre të tjerë.
Problemin e konfirmoi edhe klinika dhe tha se është rezultat i procedurave administrative, të cilat janë duke u zbatuar në përputhje me buxhetin e vitit 2024.
Sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Klinika e Onkologjisë nuk ka terapi biologjike për pacientët, dhe siç tha drejtori Sasho Klekovski, kjo është për shkak të planifikimit joadekuat në vitin 2024, kalimit nga viti 2024 në 2025, dhe rritjes së numrit të pacientëve në muajin dhjetor.
/SHENJA/