OKB-ja shpreh “shqetësim të thellë” për vrasjen e civilëve në Gaza nga sulmet izraelite

OKB-ja shpreh “shqetësim të thellë” për vrasjen e civilëve në Gaza nga sulmet izraelite

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) shprehu të hënën “shqetësim të thellë” për sulmet ushtarake izraelite që kanë goditur zona me popullusi të dendur në gjithë Rripin e Gazës dhe që vazhdojnë të shkaktojnë vrasjen dhe plagosjen e civilëve, raporton Anadolu.

“Ritheksojmë se civilët dhe infrastruktura civile, përfshirë punonjësit humanitarë, furnizimet dhe pronën e tyre, duhet të mbrohen gjithmonë”, u tha gazetarëve zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, duke përcjellë mesazhin e OCHA-s.

Duke cituar të dhënat për viktimat nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Haq tha se nëntë fëmijë janë vrarë ose kanë vdekur nga plagët e marra gjatë javës së kaluar.

Në mesin e viktimave ishin dy motra, të moshës gjashtë dhe 12 vjeç, si dhe katër fëmijë të tjerë të moshës tre deri në 14 vjeç, tha ai.

Nga të shtënat janë vrarë gjithashtu një grua shtatzënë dhe fëmija i saj i palindur, ndërsa të paktën 13 fëmijë të tjerë janë plagosur.

Haq tha se partnerët e sigurisë kanë raportuar sulme të vazhdueshme në gjithë enklavën gjatë fundjavës, veçanërisht në zonat në perëndim të “Linjës së Verdhë”, ku janë përdorur sulme ajrore, bombardime me artileri, zjarr nga deti dhe të shtëna me armë.

Që nga 8 tetori 2023, Izraeli ka vrarë më shumë se 73.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 174.000 të tjerë në luftën e tij në Gaza, ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.

Shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit të 10 tetorit kanë vrarë 1.372 palestinezë dhe kanë plagosur 4.659 të tjerë deri të hënën, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

MARKETING