(VIDEO) VMRO kërkon 10 ditë për ta studiuar marrëveshjen me “Bechtel dhe Enka”

(VIDEO) VMRO kërkon 10 ditë për ta studiuar marrëveshjen me “Bechtel dhe Enka”

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në koordinimin e rregullt me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvend ka biseduar për prezantimin e Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d para deputetëve në Kuvend. Nga kabineti i kreut të parlamentit thonë se në takim është vendosur që opozita të propozojë trup kompetent për shqyrtimin e Marrëveshjes te kryetari dhe të përcaktojë se kur të shqyrtohet e njëjta.

Duke marrë parasysh atë se Marrëveshja është e klasifikuar, vetëm deputetët që janë bartës të certifikatave të sigurisë kanë mundësinë ta shohin përmbajtjen e saj. Marrëveshja do të shqyrtohet në seancë të Komisionit që do të jetë e mbyllur për publikun.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

“Qëndrimi i të pranishmëve në koordinim është se, duke e pasur parasysh atë se nisma është e opozitës, ndërsa opozita nuk merr pjesë në koordinim, opozita të propozojë trup kompetent për shqyrtimin e Marrëveshjes te Kryetari dhe të përcaktojë datë kur të shqyrtohet Marrëveshja. Menjëherë pas hapjes së seancës së komisionit, deputetët do të prononcohen për mbylljen e seancës për publikun”

VMRO-DPMNE kërkon që marrëveshjen për Korridoret 9 dhe 10d në hapësirë kohore prej 10 ditësh ta inspektojnë të njëjtën dhe më pas të mbahet seanca e mbyllur, ku do t’i shpalosin mendimet e tyre rreth marrëveshjes. Sipas VMRO-së kjo kërkesë është plotësisht legjitime, sepse ka deputetë që nuk posedojnë certifikatë siguri dhe e kanë parë të njëjtën.

Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-së

“Ne nuk kërkojmë që Marrëveshja të na tregohet nga një ministër, ne kërkojmë dhe kemi të drejtë që Marrëveshja të na jepet për inspektim dhe duke qenë se është një marrëveshje prej 500 faqesh, të kemi një periudhë kohore prej 10 ditësh për ta shqyrtuar, analizuar dhe më pas të kemi seancë të mbyllur në të cilën do ti themi të gjitha vërejtjet tona. Kjo është kërkesa jonë”

Nga LSDM thonë që VMRO-ja nuk ka bërë asgjë spektakolare sot, dhe kërkojnë nga ata të vendosin në cilin komision duan ta shqyrtojnë Marrëveshjen për ndërtimin e korridoreve.

Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së

“Shpresojmë që VMRO-DPMNE më në fund të vijë në vete dhe të thotë se në cilin komision parlamentar duan ta shqyrtojnë marrëveshjen për këtë projekt strategjik kombëtar të infrastrukturës”

Partia në pushtet i bëri thirrje VMRO-së që të mos bëjë zvarritje që u shkon për shtat, të mos përhapin gënjeshtra dhe manipulime, por edhe të shkaktojnë dëme si për qytetarët ashtu edhe për shtetin.

Linda Ebibi /SHENJA/

MARKETING