(VIDEO) VLEN: “Partia e pazareve” duhet të reformohet
Ashtu siç e nisën muajin e parë të vitit partitë politike shqiptare opozitë dhe pushtet , ashtu si duket do ta përfundojnë, me akuza të shumta për njëra tjetrën. Partia opozitare shqiptare BDI, akuzon Qeverinë se po vazhdon krijimin e “zonave pa shqiptarë” në institucionet shtetërore, duke i larguar në mënyrë sistematike shqiptarët nga pozicionet vendimmarrëse.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Kjo qasje tregon qartë se mekanizmat e balansuesit etnik janë ende të domosdoshëm për të ruajtur karakterin multietnik të shtetit – një nga arritjet më të rëndësishme që tani është seriozisht e rrezikuar. Ndërtimi i institucioneve funksionale dhe gjithëpërfshirëse është thelbësor për barazinë etnike, por edhe për vlerat evropiane mbi të cilat duhet të bazohet stabiliteti dhe progresi afatgjatë i vendit. Me këtë veprim,Qeveria jo vetëm që ka degraduar partnerin shqiptar në qeveri, por ka krijuar ndjenjën e përjashtimit dhe të papranueshmërisë për çdo shqiptar në këtë shtet”.
E, nga koaliconi VLEN, pjesë e qeverisë , BDI-në e akuzojnë se në kohën kur kanë qenë në pushtet, ata kanë heshtur për të disa raste që kanë ndodhur në atë kohë.
Koalicioni VLEN
“BDI non grata, partia e pazareve personale në vend që të reflektojë e të rifreskojë radhët, vazhdon me retorikën e saj të nënçmimit të inteligjencës së shqiptarëve. Kjo parti, që heshti për Sopotin, Monstrën, Lagjen e Trimave, rastin “Alfa”, vrasjen e Harun Aliut, enciklopedinë ofenduese, projektin korruptiv Shkupi 2014 dhe dhjetëra raste të tjera që do mbushnin një libër të tërë, sot guxon të akuzojë të tjerët për “mospërfaqësim”?!Populli e di të vërtetën! BDI ka firmë të pashlyeshme në paktin e errët me Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin!”.
Ndërkaq, përderisa partitë politike zihen ç’do ditë në këtë mënyrë, qytetarët ballafaqohen me problemet elementare të jetesës, duke paguar fatura me shifra maramendëse të energjisë elektrike dhe duke bërë ç’mos t’i sigurojnë produktet bazë për jetes, që paoshtu çmimet e tyre janë rritur në mënyrë drastike.
Samir Mustafa /SHENJA/