(VIDEO) VLEN: Në cilën gjuhë e ka dhënë provimin e jurisprudencës djali i Talat Xhaferit?
Me votën dhe nënshkrimin e tyre, Talat Xhaferi dhe BDI e lanë gjuhën shqipe jashtë provimit të jurisprudencës. Kështu vlerëson Koalicioni VLEN, i cili thekson se dokumenti i datës 27 gusht 2019, i nënshkruar nga Talat Xhaferi, e nxjerr të vërtetën në shesh. Sipas koalicionit, problemi me provimin e jurisprudencës dhe përjashtimin e gjuhës shqipe mban vulë të pastër politike. VLEN po ashtu ka deklaruar se në kohën kur ligji për përdorimin e gjuhëve ishte në fuqi, Talat Xhaferi nuk kërkoi hapa për harmonizimin e ligjit për provimin e jurisprudencës, por përkundrazi miratoi një tekst që e linte gjuhën shqipe jashtë.
KOALICIONI VLEN
“Pyesim publikisht, kur djali i Talat Xhaferit e ka kaluar provimin e jurisprudencës, në çfarë gjuhe është përgjigjur? Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së. Në opinion e luajnë rolin e patriotit, ndërsa në institucione firmosin kundër interesit shqiptar. Për 20 vjet kanë pasur gjithçka në dorë, pushtet, ministra, poste, shumicë dhe ndikim,nuk u ka munguar as forca, as mundësia”.
Partia në pushtet ka shtuar se për BDI-në, shqiptari ka pasur vlerë vetëm si votë, si numër dhe si mjet për ta mbajtur klikën e tyre në pushtet.
Ndërkaq, ditën e djeshme, partia opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim, po ashtu ka reaguar ndaj Koalicionit VLEN duke i akuzuar se ata nuk përfaqësojnë shqiptarët. Sipas BDI-së, VLEN përfaqëson arsyetimet e atyre që duan ta nënshtrojnë gjuhën shqipe. “Kjo do të thotë se baza juridike ekziston, e drejta ekziston, obligimi ekziston ajo që nuk ekziston është dinjiteti politik i VLENI-it”, thekson BDI.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

