(VIDEO) VLEN-i dhe BDI përplasen për rastin Grubi
Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se VLEN-i po i bënë presion drejtësisë, të cilin e quajnë skandaloz dhe të papranueshëm. Këtë shqetësim BDI thotë se i’a ka paraqitur miqve ndërkombëtar, përfshirë dhe komunikatën e sotme të Vlen.
BDI
“Sot i gjithë opinioni është skandalizuar nga reagimi i partisë Vlen dhe apostrofimi i tyre ndaj prokurorisë. Komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi raporton për presione qeveritare ndaj prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa Vlen këtë dyshim e konfirmoi sot publikisht”.
Reagimi i BDI-së erdhi pas komunikatës së VLEN-it ku kërkohej përgjigje nga organet e drejtësisë se pse edhe pas gjashtë muajve ende nuk ka aktakuzë për Artan Grupin. VLEN kërkon nga Prokuroria siç thonë të mos luajë kukafshehta me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin “Lotaria”, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane.
VLEN
“Po bëhen gati gjashtë muaj nga caktimi i arrestit shtëpiak për kutinë e zezë të BDI-së, Artan Grubin, në rastin ‘Lotaria’, ndërsa nga aktakuza ende s’ka nam e nishan. Më 22 gusht skadon afati maksimal i kësaj mase, kurse Prokuroria vazhdon me hapa breshke”.
Ndërkohë i kanë mbetur rreth dy javë kohë Prokurorisë që të formoj aktakuzë për ish zëvendës kryeministrin Artan Grubin, në të kundërt ai mund të lirohet nga paraburgimi, sepse afati maksimal për të formuar aktakuzën është 6 muaj.
Grubi u dorëzua në Bllacë më 23 shkurt të këtij vitit, pas rreth 14 muajsh arratisje. Fillimisht ju caktua masë paraburgimi dhe më pas kjo masë ju zëvendësua me paraburgim shtëpiak. Ai dyshohet se i ka bërë dëm buxhetit të shtetit për rreth 8.2 milion euro përmes Lotarisë Shtetërore, për çka edhe DASH e futi në listën e zezë amerikane.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

