(VIDEO) VLEN: Dokumenti që fundos propagandën e BDI-së për “Botën Serbe”
Partia në pushtet VLEN ka publikuar sot një dokument me të cilin thonë se e fundosin propagandën e BDI-së për “botën serbe”. VLEN shpalosi komunikatën zyrtare të Presidencës së Serbisë, e cila ishte publikuar pas një takimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq me ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme, Bujar Osmanin. Sipas tyre kjo dëshmon qartë se në mesin e temave të diskutuara ishte edhe “avancimi i pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut”.
VLEN
“Ky dokument tregon edhe një të vërtetë tjetër: gjatë viteve në pushtet, BDI asnjëherë nuk e pati prioritet çështjen shqiptare. Kjo është dëshmia që rrëzon të gjithë teatrin politik të BDI-së. Ata që sot bërtasin më së shumti për ‘botën serbe’, janë pikërisht ata që dje uleshin në tavolina ku diskutoheshin tema që nuk kishin të bënin me prioritetet e shqiptarëve, ndërsa sot përpiqen t’ua faturojnë të tjerëve”.
E kësaj akuze ju përgjigj Bujar Osmani. Ai thotë se VLEN duhet të jetë vërtetë e dëshpëruar saqë kanë arritur deri aty sa takimet zyrtare të një Ministri të Punëve të Jashtme t’i paraqesin si përcaktime politike.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së
“Me këtë logjikë, do të duhej të akuzohej Albin Kurti pse takohet me Aleksandar Vuçiqin, Donald Trump pse takohet me Presidentin e Kinës, apo çdo ministër i Jashtëm në botë pse takohet me homologët e vendeve me të cilat ka mosmarrëveshje. Diplomacia nuk është takim me ata me të cilët pajtohesh”.
Ai shton se takimet diplomatike janë detyrim kushtetues, ndërsa bashkëqeverisja është zgjedhje politike. Sipas tij, këto janë dy gjëra që VLEN ose nuk arrin t’i dallojë, ose po shtiret se nuk i dallon.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

