(VIDEO) Viti 2025, 8.7 milionë euro për projektet infrastrukturore në Çair

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sot ka shpalosur programin e projekteve infrastrukturore që kjo komunë ka planifikuar t’i realizojë për vitin 2025. Ganiu tha se investimi në përmirësimin e infrastrukturës është një proces që ka për qëllim ndërtimin e një mjedisi funksional dhe më të zhvilluar për të gjithë qytetarët.
VISAR GANIU, KRYETAR I KOMUNËS SË ÇAIRIT
“Me një vlerë totale investimi që arrin rreth 8.7 milionë euro për projektet instrukturore të vitit 2025 dhe mbi 2.7 milionë euro për projektet tashmë në realizim në lagjet Dizhon, Sahat Kullë dhe Seravë, Çairi po shndërrohet çdo ditë në një vend më të mirë për të jetuar”.
Projektet që do të realizohen sipas kreut të Çairit, janë ndërtimi i çerdheve të reja, përmirësimi i shërbimeve publike dhe krijimi i hapësirave të reja për komunitetin.
VISAR GANIU, KRYETAR I KOMUNËS SË ÇAIRIT
“Në lagjen Fushë Tophanë do të realizohen projekte që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetesës: Ndërtimi i çerdhes për fëmijë Snezana, rekonstruimi i instrastrukturës rrugore në rrugën Lllazo Trpovski dhe rrugën Ferid Murat”.
Ganiu tha se Çairi po ndryshon çdo ditë, pasi sipas tij, çdo rrugë, lagje dhe çdo investim është një hap më afër një të ardhme më të sigurt, më moderne dhe më të zhvilluar për të gjithë qytetarët.
Kujtojmë se mjetet për t’i realizuar këto projekte janë siguruar përmes kredisë hungareze që qeveria ua ka ndarë komunave, të cilët kanë aplikuar, ndërsa deri më sot ka qenë afati i fundit për të gjitha komunat që kanë aplikuar me projekte të ndryshme.
Samir Mustafa /SHENJA/