(VIDEO) Vendimi i gjykatës speciale, Mexhiti dhe Ahmeti bëjnë thirrje për unifikim për procesin e apelimit

(VIDEO) Vendimi i gjykatës speciale, Mexhiti dhe Ahmeti bëjnë thirrje për unifikim për procesin e apelimit

Liderët politik shqiptarë nga Maqedonia e Veriut kanë bërë thirrje për unitet dhe maturi të subjekteve politike në lidhje me vendimin e Gjykatës Speciale me qëllim që të mbështetet procesi i apelimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti tha se vendimi i shkallës së parë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së është pritur me indinjatë, duke theksuar se tashmë duhet të tejkalohen dallimet politike dhe të bashkohen forcat për procesin në Gjykatën e Apelit.

Izet Mexhiti, VLEN

“Vendimin për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së e kemi marrë me indinjatë. Por, është një moment ku duhet t’i tejkalojmë dallimet si subjekte politike dhe gjithandej ku jemi të bëhemi bashkë për procesin në Gjykatën e Apelit”, është shprehur Mexhiti.

Ai ka theksuar se beteja juridike nuk ka përfunduar me vendimin e shkallës së parë, duke bërë thirrje që të gjitha forcat të angazhohen në procesin e apelimit.

Ndërkaq, në një intervistë për Top News në Shqipëri, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u bëri thirrje institucioneve e Kosovës, të angazhohen zyrtarisht për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga paraburgimi dhe, deri në vendimin përfundimtar të Apelit, që atyre t’u mundësohet qëndrimi në shtëpitë e tyre. Ai po ashtu, propozoi edhe mbajtjen e një referendumi.

Ali Ahmeti, BDI

“Pasi vendimi i Dhomave të Specializuara u dha në emër të popullit të Kosovës, atëherë do të ishte e logjikshme që, përmes një referendumi popullor, vetë populli i Kosovës të inicojë, të organizojë dhe të deklarohet se çfarë mendon për këtë vendim dhe që epilogu i atij referendumi të jetë obligativ për Dhomat e Specializuara, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës”.

Verdikti për ish krerët e UÇK-së u shpall më 16 shtator, ndërsa pas kësaj vijon shqyrtimi i verdiktit nga Gjykata e Apelit.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING