(VIDEO) Vihet gurthemeli i korridorit 10D, Kovaçevski: Pas 30 vjetëve bëhemi udhëkryqi i vërtetë i Ballkanit

(VIDEO) Vihet gurthemeli i korridorit 10D, Kovaçevski: Pas 30 vjetëve bëhemi udhëkryqi i vërtetë i Ballkanit

Sot në Prilep u vendos gurthemeli për autostradën Prilep – Manastir në Korridorin 10d, një nga katër seksionet e planifikuara për ndërtim sipas Marrëveshjes me konsorciumin amerikano-turk “Behtel dhe Enka”. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi se për herë të parë pas 30 viteve, vendi po lidhet me Lindjen dhe Perëndimin përmes infrastrukturës moderne dhe Maqedonia e Veriut po shndërrohet në një udhëkryq të vërtetë në Ballkan.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Ne investojmë paratë e qytetarëve në të ardhmen e tyre, në rrugë të sigurta, infrastrukturë cilësore dhe punë më të mira e konkurruese. Ne investojmë në projekte kapitale me rëndësi historike. Ne nuk po lidhim vetëm qytete dhe rajone, por po lidhim edhe shtetin me vendet përreth dhe botën përmes infrastrukturës moderne që do të tërheqë shumë turistë dhe investitorë të huaj”.

Ndërkaq, zv/kryeministri i parë, Artan Grubi komentoi kritikat e opozitës maqedonase. Ai  ka deklaruar se do t’i jepet fund pengmarrjes dhe bllokadës opozitare.

ARTAN GRUBI, ZV KRYEMINISTËR I PARË

“Fakti që shumica absolute e deputetëve janë në përkrahje të këtij projekti që do të bëhet, ndaj s’ka Mickoski, as Shën Micko që mund ta ndalojë… Atë që sot e shihni në kuvend, është mesazh që i erdhi fundi pengmarrjes së ligjeve, dhe të ardhmes së këtij populli. Do të vihet fund pengmarrjes dhe bllokadës opozitare, ashtu siç nuk e bllokuan këtë projekt, askush nuk mund ta ndaloj dhe integrimin e vendit tonë në BE”

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski, i cili tha se nga sot kontraktori fillon punët përgatitore dhe hetimet gjeoteknike në terren dhe në periudhën e ardhshme, siç tha ai, do të jemi dëshmitarë të një kantieri të madh përgjatë gjithë trasesë së kësaj rruge.

BLLAGOJA BOÇVARSKI,MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE

“Nuk ka moment më të mirë të mblidhemi, të gjithë miqtë e Maqedonisë së Veriut, partnerët tanë – shtetet anëtare të BE-së, dhe bashkërisht të festojmë projektin më të madh infrastrukturor në historinë e re të vendit, i cili po zbatohet këtu në rajonin e Pellagonisë”.

Ndërsa, drejtori i Ndërmarrjes Publike për “Rrugë Shtetërore” – Ejup Rustemi  tha se për Maqedoninë e Veriut,  Korridoret 8 dhe 10D janë mundësi më e mirë për lidhjen me rajonin, siç tha ai, projekti ma I madh infrastrukturor dhe strategjik deri më tani. Përndryshe, në mënyrë të njejtë  për tre seksionet e tjera të autostradës së Korridorit 8, ceremonia u mbajt muajin e kaluar.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

 

MARKETING