(VIDEO) Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, program përkujtimor për akademikun turk Sabahattin Zaim
Në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup është mbajtur program përkujtimor për akademikun turk Sabahattin Zaim, figurë e shquar akademike turke me prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Në këtë program mori pjesë edhe kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Numan Kurtulmuş, i cili po qëndron për një vizitë treditore në Maqedoninë e Veriut. Të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Mahmut Çevik, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, zyrtarë të IBU-së, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, profesorë, studentë, si dhe mysafirë të shumtë.
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Numan Kurtulmush, në fjalimin e tij theksoi se midis popujve të dy vendeve ekzistojnë “ura të forta historike dhe kulturore”.
NUMAN KURTULMUŞ, KRYETAR I ASAMBLESË SË MADHE KOMBËTARE TË TURQISË
“Siç e dimë, midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut ekzistojnë ura të forta historike dhe kulturore. Përtej atyre që shihen, këto janë ura të padukshme të vëllazërisë dhe miqësisë. Janë ura që janë zhvilluar ndër shekuj. Midis popujve të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë ka ura tepër të forta dhe këto duhet të forcohen edhe më tej”
Tutje Kurtulmuş theksoi se pikërisht fakti që një popull e shikon veten superior ndaj tjetrit është arsyeja themelore e vrasjeve dhe gjenocideve që ndodhin në botë.
Kryetari i Bordit Drejtues të IBU-së, Rexhep Süleyman Özdil, theksoi që Sabahattin Zaim ka një anë që prek njerëzit nga të gjitha segmentet e shoqërisë, si dhe kujtoi që ai ishte pjesë e delegacionit themelues të IBU-së.
Recep Süleyman Özdil, IBU
“E kujtoj përsëri me mëshirë. Kur them mësues, mendoj për një person të mirë. Dhe kjo ishte këshilla e tij: ‘Bëhu njeri i mirë, edukoni njerëz të mirë’. Sabahattin Zaim ishte lider që luajti rol jo vetëm në botën shkencore, por edhe në shoqëri”.
Ndërkaq, rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lütfi Sunar, theksoi se janë mbledhur sot për të përkujtuar jo vetëm një akademik, por edhe një mendimtar, një udhërrëfyes dhe një arkitekt të shoqërisë. Duke theksuar se Sebahattin Zaim ishte një person që la gjurmë të pashlyeshme me thellësinë e tij shkencore, ndjeshmërinë njerëzore dhe vizionin social.
Pas fjalëve të hapjes, në panelin e moderuar nga Özdil, Prof. Dr. Sedat Murat, Prof. Dr. Faruk Taşçı, Dr. Israfil Kışla dhe Dr. Ahmet Lökçe mbajtën fjalime për jetën dhe veprat e Sabahattin Zaimit. Sabahattin Zaim ishte një akademik dhe ekonomist i shquar turk, i njohur për kontributin e tij në politikat sociale dhe zhvillimin ekonomik në Turqi. Ai ka lindur në qytetin e Shtipit në Maqedoninë e Veriut në vitin 1926, atëkohë Mbretëria e Jugosllavisë, ndërsa në vitin 1934 emigroi me familjen në Stamboll.
Ndërkohë, kryekuvendari turk, Numan Kurtulmush, sot ka vizituar edhe Çarshinë e Shkupit, ku ka vizituar artksionet e saj dhe ka pasur edhe përshëndetje me qytetarë të shumtë.
Anida Murati /SHENJA/