(VIDEO) Thellohen përplasjet për Alta Bankën, nga akuzat tek kallëzimet penale
LSDM ka paraqitur kallëzim penal kundër guvernatorit Trajko Sllaveski dhe personave të tjerë zyrtarë dhe përgjegjës në Bankën Popullore lidhur me çështjen e Alta Bankës. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sashа Dimitrijeviq deklaroi se kallëzimi penal ka të bëjë me dyshimet për veprat penale “Punë e pandërgjegjshme në shërbim” dhe “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”. Ai tha se gjithashtu kanë propozuar edhe masa për të parandaluar ndikimin mbi dëshmitarët dhe dokumentacionin, përfshirë ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të detyrave për të gjithë të përfshirët.
ALEKSANDAR SASHA DIMITRIJEVIQ, SEKRETAR I LSDM-SË
“Kallëzimi përfshin edhe veprimet gjatë miratimit të marrjes në pronësi të bankës, supervizimin bankar, kontrollet lidhur me pronarin, kapitalin dhe transaksionet. Ne kërkojmë të përcaktohet pse nuk është kontrolluar reputacioni i pronarit, prejardhja e parave dhe rreziqet për sigurinë dhe stabilitetin e bankës. Në kallëzim kërkojmë grumbullimin e dosjes së plotë për marrjen në pronësi, elaboratet profesionale, procesverbalet, pëlqimet dhe korrespondencën me institucionet vendore dhe të huaja”.
Ndërkaq nga VMRO DPMNE sot kanë deklaruar se pretendimet e LSDM-së se ALTA Banka dhe pronari I saj saj kishin pasur ndalesë për të ushtruar veprimtari në BE janë gënjeshtra. Zëdhënësi I VMRO-DPMNE-së Valentin Manasievski në preskonferencën e sotme tha se Alta Banka ka hyrë në RMV si bankë që ka zotëruar pjesëmarrje aksionare në një bankë në BE. Sipas tij këto përbëjnë baza të mjaftueshme dhe të forta që Prokuroria Publike të nisë hetime dhe procedurë kundër Venko Filipçes.
VALENTIN MANASIEVSKI, ZËDHËNËS I VMRO-DPMNE-SË
“Gjithçka që ka deklaruar LSDM-ja për Alta Bankën është gënjeshtër. Jo vetëm që Alta Banka nuk ishte sanksionuar nga Banka Qendrore Evropiane, por, përkundrazi, deri në momentin e mbylljes së saj, ajo zotëronte aksione në një bankë në BE. Konkretisht, ky është një ekstrakt nga faqja zyrtare e Adiko Bankës në Vjenë, ku shihet se pikërisht Alta Banka zotëron 9,63% të aksioneve të Adiko Bankës. Për më tepër, këtë pjesëmarrje aksionare Alta Banka e zotëron edhe sot e kësaj dite dhe ajo vazhdon të jetë në pronësi të Alta Bankës së Serbisë”.
Përplasjet e ashpra politike dhe akuzat e ndërsjellta për çështjen e ALTA Bankës së fundmi janë thelluar edhe me ngritjen e kallëzimeve penale. Guvernatori Trajko Sllaveski dje ngiti kallëzime penale kundër kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, Aleksandar Sasha Dimitrijeviqit, Andrej Zhernovskit dhe Aleksandar Trajanovskit, për të cilën nga LSDM vlerësojnë se janë përpjekje për tentim për mbrojtjen e kryeministri Hristijan Mickoski.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

