(VIDEO) Të harruar nga prindërit dhe institucionet, fëmijët bredhin rrugëve duke kërkuar lëmoshë

(VIDEO) Të harruar nga prindërit dhe institucionet, fëmijët bredhin rrugëve duke kërkuar lëmoshë

Rrugëve të Shkupit, nëpër trotuare, para dyerve të xhamive ose objekteve të tjera ka vërshuar vala e fëmijëve, e të shumtën e rasteve janë fëmijë romë, të cilët kërkojnë lëmoshë. Edhe pse qendrat për punë dhe politikë sociale kanë hartuar politika të qarta, ndërkohë ka edhe Ligje të shumta për Mbrojtjen e Fëmijëve, por beteja me këtë dukuri duket se do të jetë e gjatë dhe shumë e vështirë.

Në ditë të ftohta, ditë me shi apo në ditë me rreze të forta të diellit fëmijët e komunitetit romë i takojmë rrugëve deri në orët e vona po edhe pas mesnate. Në vend që të jenë të ulur në vatrat e tyre të dijes ata detyrohen që ditët ti kalojnë duke zgjatur duart për të kërkuar lëmoshë. Edhe pse vendi i këtyre fëmijëve është shkolla, ambienti i familjes, si dhe shtëpitë për përkujdesje, sërisht ata i gjen në rrugë.

Pyetjeve se a duhet të mbajë dikush përgjegjësi për këta fëmijë të mitur dhe sa institucionet e vendit punojnë për këta fëmijë, I është përgjigjur Dushan Tomshiq, këshilltar për mbrojtje sociale pranë ministrisë së punës dhe politikës sociale. Ai thotë se kërkimi I lëmoshës nga fëmijët të cilët kryesisht janë romë, është një fenomen që është aktiv për një kohë të gjatë në vendin tone dhe kërkon bashkëpunim shumë të koordinuar në mes shumë anëtarëve të shoqërisë që të mund të gjendet një zgjidhje. Sipas tij rrënja e kësaj problematike është shumë e thellë, para se gjithash është varfëria që kanë familjet e tyre  e më pas është keqpërdorimi I këtyre fëmijëve nga ana e prindërve apo familjarëve të tyre.

DUSHAN TOMSHIQ, KËSHILLTAR PËR MBROJTJE SOCIALE

“Ne si ministri e punës dhe politikës sociale kemi funksionin e mbrojtjes të këtyre fëmijëve mirëpo organet tjera të cilët duhet të kyçen duhet më shumë të veprojnë. E kam fjalën për ministrinë e punëve të brendshme, prokurorinë themelore publike, të cilat duhet të veprojnë në ato pjesë ku ka keqpërdorime të fëmijëve. Ne vazhdimisht në bashkëpunim me MPB-në mundohemi të bëjmë vizita në teren në nivel mujor, arrijmë të kemi qasje tek disa fëmijë por problemi nuk zgjidhet me këtë sepse nëse nuk e zgjidh problemin në shtëpi, në arsim, në shëndetësi ajo nënkupton që ata sërish i kthehen rrugëve”.

Tomshiq theksoi se në këtë drejtim është përgatitur protokoll për qasje I cili në fund të vitit të kaluar  u është dërguar të gjitha institucioneve dhe në atë janë të kyçura të gjitha ministritë, qendrat për punë sociale dhe organizatat qytetare. Ai potencoi faktin e keqpërdorimit të këtyre fëmijëve I cili sipas tij  ka shumë komponente dhe tha se kjo shpesh kalon edhe në biznes që më pas paraqet një vepër penale dhe se këtu duhet të ndikojë edhe gjykata me procedurat e saj.

DUSHAN TOMSHIQ, KËSHILLTAR PËR MBROJTJE SOCIALE

“Ne  nëpërmjet qendrave sociale bëjmë mbikëqyrje në të drejtat e prindërimit që të konstatojmë se ku ka shkelje të ligjit. Viteve të fundit është rritur numri I rasteve që mbikëqyren që nënkupton se edhe numri i  prindërve që nuk e kryejnë të drejtën e tyre të prindërimit është rritur. Në vitin 2019 qendra ka  realizuar 87 mbikëqyrje, në vitin 2021 është rritur numri në 194, për vitin 2022 analizat janë në përfundim dhe pritet që të jenë diku rreth 200 mbikqyrje, që tregon se qendra procedon por duhet të punohet me prindërit që këta fëmijë kur të kthehen në shtëpi mos të detyrohen të dalin sërish rrugëve si lypsarë”.

Tomshiq theksoi se numri më i madh i këtyre fëmijë janë në Shkup ku  80 fëmijë janë të evidentuar. Ai shtoi se  ne vitin 2019 nga gjykata ka pasur 15 procedura në lidhje me marrjen e te drejtës së prindërimit, në vitin 2020 -18 procedura dhe 2021- 34 procedura.

Nga ana tjetër qytetarët e vendit të pyetur se si e komentojnë gjendjen e fëmijëve romë që bredhin rrugëve si lypsarë, shprehen të shqetësuar dhe të  zhgënjyer sepse sipas tyre ata nuk janë të barabartë në shoqërinë tonë dhe se shteti nuk e bën më të mirën për to.

QYTETAR

“Është për të ardhur keq, nuk duhet të jetë kështu, duhet të ketë barazi për të gjithë. Unë mendoj që nuk ka barazi as për shqiptarët as për romët. Jam realisht i ftohur nga ky vend, kam qenë 20 vite jashtë dhe shoh që këtu nuk ka asgjë. Kjo është turp dhe them që nuk ka barazi këtu”. 

QYTETARE

“Nuk është mire, nuk është pasqyrë e bukur, nuk je as ti largosh e as t’u ofrosh diçka, vërtetë është mëkat, është për të ardhur keq. Mendoj që vendi filloi të bëjë diçka për këta fëmijë por siç shihet nuk ka asgjë nga kjo”.

Keqpërdorimi i këtyre fëmijëve nis nga familja. Këtë e bëjnë familje të cilat kanë probleme organizimi, po edhe nga të afërmit, të cilët për arsye përfitimi po abuzojnë me fëmijët, duke e keqpërdorur fatkeqësinë e tyre dhe humanitetin e njerëzve të zakonshëm.

Në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut, shihen fëmijë romë të cilët enden rrugëve. Në vende të zhvilluara, në raste të tilla, prindërve iu merret e drejta e kujdestarisë së fëmijëve, por në Maqedoninë e Veriut  po këta fëmijë janë lypës, të keqpërdorur dhe të detyruar nga rrethana të ndryshme të sigurojnë vetë kafshatën e gojës.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING