(VIDEO) Strugë, vazhdon seanca për emërimet e Merkos

(VIDEO) Strugë, vazhdon seanca për emërimet e Merkos

Në Gjykatën Themelore të Strugës sot ka vazhduar seanca kryesore,  nga katër gjykimet e parapara, ndaj kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat fillore në fshatrat Podgorc, Labunishtë, Radolisht dhe Veleshtë.

Gjyqtari Jordan Jovanov i ka bashkuar në një të tri lëndët për emërim të kundërligjshëm të drejtorëve ku akuzohet vetëm Merko, ndërsa për shkollën në Veleshtë, thuhet se po zhvillohet një lëndë e veçantë ku përveç keqpërdorimit të detyrës zyrtare akuzohen edhe 4 persona për falsifikim. Me sugjerimin e mbrojtjes së Merkos, sot para gjykatës dëshmoi ish-ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, i cili tha se sa ishte në këtë pozitë nuk kishte marrë informacione se në shkollat ​​fillore të Strugës janë emëruar ushtrues detyre që nuk i plotësojnë kushtet.

JETON SHAQIRI, ISH-MINISTËR I ARSIMIT

“Nuk kam marrë asnjë propozim apo raport nga Sektori i Arsimit lidhur me situatat konkrete. Arsyeja është e panjohur për mua. Ju e dini se në Maqedoni ka shkolla të tjera ku institucionet nuk mund të gjejnë person të përshtatshëm”.

Gjyqi për rastin në të cilin Merko akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka blerë 4 automjete zyrtare, mes të cilëve një Audi luksoze prej 67 mijë euro, në kushtet kur komuna kishte borxhe të papaguara dhe llogari bankare të bllokuar, gjyqtari Jovanov thotë se, do të fillojë nga fillimi, pasiqë siç tha ai “Të gjitha rastet kur ndërrohet gjyqtari gjykues fillojnë nga fillimi”.

Merkos tashmë i është konfiskuar pasaporta nga gjykata, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Kujtojmë që kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, që nga viti i kaluar është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të përfshirjes në korrupsion dhe ndikim në procese gjyqësore.  Në gjykatat në Strugë dhe Manastir kundër kryetarit Merko janë duke u zhvilluar gjithsej nëntë procedura aktive gjyqësore.

Anida Murati /SHENJA/

 

 

MARKETING