(VIDEO) Stamboll, organizohet “Takimi i madh i Rumelisë”, në prezencë të presidentit Erdogan

(VIDEO) Stamboll, organizohet “Takimi i madh i Rumelisë”, në prezencë të presidentit Erdogan

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të raundit të dytë që do të mbahen më 28 maj në Turqi, mbrëmë në kongresin “Haliç” të Stambollit, u organizua “takimi i madh i Rumelisë”, ku pjesë e saj ishin personalitete të fushave të ndryshme nga Ballkani, kryetarë të partive politike, dhe studentë nga viset e Rumelisë.  Në fjalimin e tij presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, potencoi rëndësinë e lidhjes shpirtërore, miqësore dhe vëllazërore në mes Turqisë dhe Rumelisë, duke shtuar se kjo lidhje e popullit vëlla turk me shqiptarët, boshnjakët dhe etnitetet tjera nga këto vise është e ndërtuar ndër shekuj, si në aspekt kulturor, historik dhe social.

 “Takimi jonë me Rumelinë është i ndërlidhur me gërshetimin tonë shekullor me këto vise, edhe përkundër faktit se kemi dallime në gjuhë dhe kulturë. Në këtë sallë shoh përfaqësuesit e dashamirëve të Turqisë, shoh zemërgjërësinë dhe mbamendjen tonë të përbashkët historike të 100 milionë njerëzve. Ne në asnjë rast tokën e Rumelisë nuk e shohim jashtë orbitës tonë. Shkupi, Sarajeva, Prishtina, Prizreni, Tirana gjithë jemi këtu sonte. Mbetemi falenderues për përkrahjen masovike që na dhatë më 14 maj, dhe shpresoj që ky qëndrim stoik do të përsëritet edhe më fuqishëm më 28 maj”, përfundoi Erdogan.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, gjithashtu foli edhe për takimin e tij emocional, që kishte pasur disa ditë para se të ndërronte jetë ish – presidenti i BeH-së, Alija Izetbegoviç, për të cilin tha: ”në vizitën time miqësore që ia bëra Alijës derisa ishte në spital, ai më ka lënë një amanet të rëndësishëm, duke më thënë ”biri im Tajip, këto toka ju janë besuar juve, dhe ju i keni amanet këto vise”.

Pjesëmarrës të takimit të mbrëmshëm të Rumelisë, ishin edhe përfaqësues të OJQ-ve nga vendi, si dhe kryetarë të partive politike nga Ballkani, siç janë: kryetari i shoqatës “Ensar”, prof. dr. Sylejman Baki, kryetari i shoqatës “Köprü”, Hysref Emin, kryetari i Bashkimit Demokratik Boshnjak, Munir Kolasinac, kryetari i Lëvizjes për Drejtësi – Kosovë, Sylejman Çerkezi, kryetari i Alternativa, Afrim Gashi dhe shumë personalitete të njohura të Rumelisë dhe Ballkanit. /SHENJA/

MARKETING