(VIDEO) Sot Shkupi u zgjua i bardhë!
Mëngjesi i kësaj të diele ishte i bardhë. Mbarë vendi ishte mbuluar nga shtresa e bardhë e dëborës. Shkupi pas shumë vitesh u mbulua me borë të një intensiteti të konsiderueshëm. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike më së shumti borë ka rënë në Mavrovë, 35 centimetër, kurse në Shkup këtë mëngjes ka qenë 1 centimetër. Por reshjet e dëborës vazhduan edhe gjatë ditës. Mirëpo, krahas bukurisë e gëzimit që solli bora, shkaktoi edhe disa probleme. Disa rrugë të kryeqytetit ishin të mbushura me borë dhe veturat lëvizsnin me shpejtësi të ulët përshkak se mund të rrëshqisnin. Në mëngjes u mbyllën disa rrugë e rrugica për qarkullim në vende kritike për automjete të rënda, ndërsa për automjetet tjera në vende problematike kërkohej përdorimi i pajisjeve dimërore, siç janë zinxhirët.
Në njoftimin e tyre gjatë ditës nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” thanë se komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohej në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa, me mbetje të borës pas intervenimit nga ana e ekipeve të NP “Rrugët e Maqedonisë”. Nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë apeluan për kujdes në vozitje.
LAMM
“LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë”.
Edhe Ndërmarrja Publike “Infrastruktura” njofton se në trafikun hekurudhor të mallrave ka vonesa të vogla, të shkaktuara kryesisht nga pikat me borë ose ngrirje. Është njoftuar se edhe Ndërmarrja Publike “Infrastrukturë – Hekurudhat” ka ekipe kujdestare që punojnë në vazhdimësi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e daljeve, duke siguruar vazhdimësi në komunikacion.
Ndërkohë, Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka njoftuar se temperatura më e ullët është regjistruar në Kodrën e Diellit -9 dhe në Mavrovë -8 gradë celsius. Edhe ditët në vazhdim parashikohet të mbizotërojë mot i vranët dhe i ftohtë me erë të dobët deri mesatare veriore.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike
“Reshje të përkohshme të borës do të ketë të hënën, kurse më pas ditët në vijim do të ketë kushte për erë dhe intensitet i lehtë dëbore. Temperaturat e mëngjesit gjithandej do të jenë minus, por edhe temperaturat ditore do të jenë nën 0”.
Institucionet kanë aktivizuar alarmin portokalli. Të mërkurën temperatura pritet të jetë minus 10 gradë Celsius.
Emine Ismaili /SHENJA/