BDI: Ndikimi i Beogradit në Maqedoninë e Veriut, shqetësim serioz
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me atë që e konsideron si rritje të ndikimit të Beogradit dhe të ashtuquajturës „botë serbe“ në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Nga BDI thonë se ky ndikim është bërë “më i madh se asnjëherë më parë” dhe se, sipas tyre, nuk bëhet fjalë vetëm për një perceptim politik, por për një çështje të evidentuar edhe në raporte dhe vlerësime të institucioneve ndërkombëtare.
Reagimi i partisë vjen edhe pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të cilat BDI i cilëson si pjesë të një „tymnaje politike“ dhe si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet thelbësore.
BDI ka komentuar gjithashtu debatet e fundit rreth Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas partisë, përpjekjet për t’i barazuar këto dy institucione janë të pasakta për nga statusi juridik dhe institucional.
“Tribunali për ish-Jugosllavinë ishte tribunal ndërkombëtar i krijuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1993, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion gjyqësor i themeluar në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, me bazë në Kushtetutën dhe legjislacionin e saj”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia shqiptare paralajmëron se nuk do të lejojë, siç shprehet, që “narrativat e importuara nga Beogradi” të ndikojnë në përcaktimin e debatit politik në Maqedoninë e Veriut.
BDI thekson se këto zhvillime, sipas saj, mund të prekin marrëdhëniet ndëretnike, stabilitetin e vendit dhe orientimin e tij evropian.

