(VIDEO) Siljanovska-Davkova: Zgjerimi i BE-së është çështje sigurie
Ballkani gjithmonë ka qenë historikisht, gjeografikisht dhe në aspektin kulturor pjesë e Evropës, ka deklaruar presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkvoa nga Forumin i Diplomacisë që po mbahet në Antalya të Turqisë. Duke folur në panelin “Hartimi i së nesërmes, menaxhimi i pasigurive” ajo tha se Ballkani ka qenë gjithmonë një lloj ‘lakmusi’ dhe gjithmonë shtetet e fuqishme dhe të mëdha kanë testuar politikat e tyre në Ballkan. Prandaj, sipas saj, nuk mjafton të thuhet se BE-ja është “një histori e papërfunduar pa Ballkanin Perëndimor” apo “një simfoni e papërfunduar”.
Gordana Siljanovska Davkova, presidente e RMV-së
“Prandaj po them se Ballkani ka qenë gjithmonë historikisht, gjeografikisht dhe në aspektin kulturor pjesë e Evropës. Unë ëndërroj për Evropën si BE. Dhe nuk mund ta pranoj dallimin midis Lindjes dhe Perëndimit. Është një dallim artificial. Prandaj, çështja e zgjerimit të BE-së nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje sigurie. Çdo ditë dëgjojmë se duhet të jemi të qëndrueshëm ndaj kërcënimeve nga aktorë të tretë. Po, por qëndrueshmëria garantohet vetëm nëse jemi brenda”.
Siljanovska-Davkova gjithashtu shprehu frikën për rritjen e autoritarizmit, valë të reja migrimi, kërcënime hibride, dezinformim dhe sulme kibernetike. Ajo tha se burimet po drejtohen drejt armatimeve dhe se disa të dhëna tregojnë se 2.7 trilionë dollarë në vitin 2024 janë shpenzuar për qëllime ushtarake dhe armë.
Gordana Siljanovska Davkova, presidente e RMV-së
“Ju keni përmendur vendimmarrësit dhe liderët, dhe ndoshta është mirë të ripërsëritet ajo që njëherë ka thënë presidenti i Turqisë. Në të vërtetë, po, pesë shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit janë të rëndësishme, por megjithatë edhe 15 janë të rëndësishme dhe ne duhet gjithashtu të rishikojmë OKB-në”.
Në këtë forum, që organizohet nga Ministria e Jashtme e Turqisë, po marrin pjesë përfaqësues të më shumë se 150 vendeve, përfshirë mbi 20 krerë shtetesh dhe qeverish si dhe drejtues të tjerë të shteteve. Forumi përfshin më shumë se 40 panele dhe aktivitete, përfshirë diskutime në nivel liderësh që trajtojnë sfidat politike, ekonomike, mjedisore dhe teknologjike, me fokus të veçantë në zhvillimet aktuale globale.
Teuta Buçi /SHENJA/

