(VIDEO) Shumë vizita në muzeun e Gjenocidit, i themeluar nën patronazhin e Erdoğan
Çdo vit, më 11 korrik, Bosnja e Hercegovina përkujton gjenocidin në Srebrenicë me xhenazen kolektive në Qendrën Memoriale në Potoçari, ku varrosen viktimat e identifikuara së fundmi. Këtë vit, mbetjet mortore të 10 viktimave të identifikuara së fundmi do të varrosen gjatë ceremonive, ku pritet të marrin pjesë mijëra vizitorë nga Bosnjë e Hercegovina dhe vende të tjera. Në vitin 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, duke forcuar më tej përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e kujtesës së viktimave.
Një vit pas hapjes së tij, Muzeu i Gjenocidit të Srebrenicës, i mbështetur nga Turqia, është shndërruar në një nga hapësirat më të rëndësishme të kujtesës dhe edukimit brenda Qendrës Memoriale Srebrenicë-Potoçari. Muzeu ruan dhe përcjell kujtimin e më shumë se 8 mijë viktimave boshnjake të gjenocidit të kryer nga forcat serbe, përmes artefakteve autentike, dëshmive të të mbijetuarve dhe ekspozitave multimediale. I vendosur në ndërtesën e ish-fabrikës së baterive në Potoçari, ku mijëra boshnjakë kërkuan strehim pas rënies së zonës së sigurt të shpallur nga OKB-ja në korrik të vitit 1995, muzeu ofron një rrëfim kronologjik të ngjarjeve tragjike. Projekti për ndërtimin e muzeut u iniciua në vitin 2021 nën patronazhin e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdoğan, ndërsa realizimi i tij u financua plotësisht nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). /SHENJA/

