(VIDEO) Shqipja vendoset në tabelën në Tabanoc, por me gabime drejtëshkrimore
Reagimet e forta në opinion, vunë në lëvizje institucionet. Tabela në pikën kufitare në Tabanocë e cila ishte në tre gjuhë por jo edhe në shqip, u ndryshua dhe shqipja u vendos aty ku e kishte vendin. Mirëpo, puna gjysmake dhe jo e kujdesshme për çka shpesh kritikohen institucionet, tregoi efekt edhe në këtë rast. Tabela e re u vendos por me gabime drejtëshkrimore. Nuk shkruan “Republika e Maqedonisë së Veriut”, por “Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Gjithashtu tabela paraprake ka qenë “Mirësevini në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa tani është shkruar vetëm “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Televizioni Shenja një ditë më parë ju dha qytetarëve pasqyrën reale të kësaj situatë. Një tabelë që ishte ndryshuar para disa ditësh prej të cilës ishte hequr shqipja dhe tabela tjetër të cilën e postoi zëvendësdrejtori i Doganave, e cila nga mediat online u raportua sikur u ndryshua dhe ju vendos shqipja.
Të pyetur nga TV Shenja se përse është ndryshuar tabela, Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”, thanë se ata nuk kanë dhënë urdhër për të bërë një gjë të tillë. Ndërsa përgjegjësinë e hodhën tek Ndërmarrja Publike për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale, e cila siç thanë është kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve, përgatitjen dhe vendosjen e sinjalizimit vertikal dhe horizontal në rrugë.
Kjo situatë nuk është aspak e pazakontë në vendin tonë. Para pak kohe, shqipja u tentua të hiqej edhe nga tabela në pikën kufitare në Bllacë, e cila pas reagimeve të shumta menjëherë u ndryshua dhe në tabelë u kthye edhe gjuha shqipe.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

