(VIDEO) Shpallet thirrja e dytë për projekte infrastrukturore

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, informoi se është shpallur thirrja e dytë publike që u mundëson komunave të aplikojnë për mjete financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore. Të gjitha komunat mund të aplikojnë për mjete financiare deri në 15 miliardë denarë për projekte në fushën e kulturës, sportit, mjedisit jetësor, infrastrukturës rrugore, politikës sociale dhe arsimit. Formularët e aplikimit duhet të dorëzohen në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe dokumentacioni i projektit në ministritë përkatëse jo më vonë se data 30 prill. Ministri tha se kjo thirrje publike është krijuar në përputhje me kërkesat e kryetarëve të komunave dhe përmban kushte të favorshme. Ai pret që mjetet e planifikuara të shfrytëzohen sepse, siç thotë ai, komunat kanë probleme me infrastrukturën.
Zlatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale
“Shtyrja e afatit të aplikimit deri më 30 prill është një risi, si dhe ka një rrethanë lehtësuese në sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për fillimin e prokurimit publik. Kjo është për të ndihmuar komunat dhe për t’u dhënë atyre hapësirë për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm derisa procedura është në vazhdim. Këto janë dy risi të kërkesave të kryetarëve të komunave”.
Ministri thekson se shpërndarja e fondeve do të bazohet në dy kritere – popullsia rezidente në komunë sipas regjistrimit të fundit dhe dokumentacioni i plotë i projektit që kërkohet për fillimin e prokurimit publik.
Kjo thirrje e dytë publike, sipas Perinskit, është vazhdimësi e thirrjes së parë publike e cila, siç tha ai, tashmë po jep rezultate në terren. Interesimi më i madh në thirrjen e parë ishte për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore.
Perinski nuk i sheh këto projekte publike si ryshfet zgjedhor sepse, sipas tij, të gjithë kryetarët e komunave mund të aplikojnë dhe të marrin fonde në thirrjet publike, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.
Anida Murati /SHENJA/